Ledri Vula, një emër që po lë gjurmë në muzikën shqiptare, në vazhdën e rrugëtimit të tij të suksesshëm si artist edhe këtë vit e kishte të mbushur me projekte të ndryshme, por viti 2017 për atë do të vijë ndryshe. Ledrin do ta shohim edhe me një projekt filmik. Por ndër risitë e këtij viti, fansat e tij mund të presin edhe një bashkëpunim të radhës me Era Istrefin.

Jeta Zymberi

Ledri Vula është emri i cili sa herë përmendet bënë bujë. I fuqishëm në atë që bënë, duke sjellë gjithmonë risi dhe gjëra trendi, ai po lenë gjurmët e tij në hip hopin shqiptar. Ledri, i cili konsiderohet një prej reperëve më të talentuar shqiptar, në mos më i talentuari, duke e dëshmuar këtë me secilin projekt që sjellë, po vazhdon ti surprizojë fansat çdo ditë me botën e tij të madhe artistike. Reperi dhe regjisori, Ledri Vula, në një intervistë për KultPlus, nuk heziton të flasë për krijimtarinë e tij të bujshme, punën si regjisor, bashkëpunimet dhe padyshim për projektet e ardhshme që pritet të jenë tejet të veçanta.

Viti 2016, ishte një vit tjetër shumë i suksesshëm në vazhdën e rrugëtimit të artistit. Një varg projektesh ku secili kishte një sukses tejet të madh. E këto projekte nuk mund t’i ndajë as Ledri, duke konsideruar që secili projekt ka një vlerë të veçantë për të.
“Nuk mund ti ndaj projektet e mija, sepse të gjitha kanë vlerën e vet për mua, për shkak të momentit kur janë krijuar, për shkak të kuptimit që bartin në vete dhe për shkak të kohës kur janë lansuar. Mund vetëm të them se të gjitha projektet e këtij viti kanë domethënie të veçantë për mua, por edhe kanë domethënie të veçantë edhe për disa kauza më të mëdha shoqërore”, ka thënë fillimisht artisti Ledri Vula.

20161230162546957

Muzika shqiptare po del të jetë shumë e pëlqyer edhe jashtë kufijve, talentet e rijnë gjithashtu po arrijnë të depërtojnë e madje edhe të mrekullojnë me artin e tyre. Secili vend ka edhe stilin e vet të muzikës, e padyshim që ka edhe nivele e kategori të ndryshme. Por kur flasim për vlerat, artistët shqiptarë lirisht mund t’i krahasosh me artistët botërorë, dhe tashmë në kohën e internetit ku mundësitë për depërtim janë më të lehta, ata këtë gjë po e dëshmojnë çdo ditë. Artisti Ledri Vula e vlerëson shumë artin shqiptar, e madje merr për shembull kolegen e tij Era Istrefi dhe suksesin që ajo arriti jashtë kufijve shqiptarë.
“Si muzika shqiptare, ashtu edhe muzika e huaj i kanë vlerat e veta. Muzika shqiptare në kuadër të zhanreve muzikore që ka dhe i kultivon, shpesh depërton dhe pëlqehet edhe nga publiku joshqiptar. Tani pasi që interneti po e mundëson që muzika shqiptare të depërtojë në çdo cep të botës, ndoshta edhe nuk do të duhej të ndahej nga muzika e huaj, sepse edhe ne jemi të huaj për dikë atje në botë. Rast i mirë është kënga ‘Bonbon’ e Erës, e cila depërtoi në botë dhe sytë e publikut të jopolitizuar e kuptuan përmes Erës se ku është Kosova dhe se edhe në Kosovë kultivohet një muzikë kualitative dhe me nivel botëror. Poashtu edhe kënga “Beautiful” depërtoi jashtë dhe u bë hit tek vajzat e reja të cilat e mbushën Instagramin dhe YouTube me vallëzime të ndryshme sidomos të pjesës “Bang, she shot me one time…””, është shprehur artisti Ledri Vula.

20161230162704172

Këngët e artistit Vula, vlerësohen shumë edhe për tekstet e fuqishme, ku secili projekt vjen me një temë të veçantë, duke prekur gjithmonë pika kyçe e që shpesh njerëzit lidhen shumë me to. Por këtë vit, ai solli edhe një këngë me një dedikim të veçantë, po flasim për këngën “Beautiful”, e cila u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe arriti të depërtojë edhe jashtë kufijve shqiptarë.
“Për tekstet e këngëve inspirohem nga çdo gjë që shoh ose edhe e ndjejë. Këngët e mija më shumë flasin për atë që unë bëjë në jetë, për aspiratat e mija, për rrethin që kam, apo edhe për atë që mua më ndodh gjatë rrugëtimit tim. Ndërsa sa i përket temës së këngës “Beautiful”, kjo këngë është punuar në bashkëpunim me Florin, i cili është një artist i madh dhe punëtor i palodhshëm”, ka thënë ai.

Kur flasim për karrierën e artistit, këtu një vend të madh e zënë edhe bashkëpunimet e shumta me artistë, falë talentit të tij dhe energjisë pozitive që ai sjellë në artin që bënë, por edhe veçantisë që reflekton në secilin projekt, ka bërë që ai të ftohet edhe nga shumë artistë për bashkëpunim dhe si rezultat nuk mbahet mend ndonjë bashkëpunim që nuk është pëlqyer. Ledri gjithashtu është shprehur se i çmon shumë të gjithë bashkëpunëtorët.

20161230162813642

“Me të gjithë artistët me të cilët kam pasur bashkëpunime kam një miqësi të mirë dhe është kënaqësi të punohet me ta. E çmoj shumë bashkëpunimin me Florin, 2po2, Blunt & Real, dhe natyrisht nuk mund të mos e përmend Lumin, Viganin, MC Kreshën, Lyrical Son, me të cilët më lidh një kohë e gjatë miqësie, përjetime të shumta, sfida të ndryshme dhe poashtu edhe ditë aq të mira të mbushura me ide e krijime të reja. Poashtu, pavarësisht që nuk krijojnë muzikë, shumë afër më rrinë dhe mbështetem shumë në menaxherin tim Faton Shoshin apo si e quaj vëllai im i madh, dhe DJ Gramo (Gramos Qazimi), vëllai im i vogël”, ka treguar tutje Ledri.
Kur dy artistë të një stili të përafërt dhe me një energji ndryshe në atë që bëjnë, bëhen bashkë padyshim që vlerat aty nuk mungojnë e suksesi aq më pak. Kënga “Shumë pis”, me artisten Era Istrefi, ishte ajo që rrëmbeu verën e vitit 2015, por Era tashmë ka hyrë në industrinë e muzikës botërore dhe potencial të tillë posedon edhe Ledri, por ai ka disa arsye për të refuzuar në mënyrë të prerë një gjë të tillë.

20161230162632341

“Jo. E kam deklaruar disa herë që publiku shqiptar është ai që mua më bën të ndjehem mirë. Ia respektoj dëshirat dhe e respektoj ndjenjën e publikut tim. Nuk e kam menduar kurrë tregun e jashtëm, ndoshta edhe pse jam i lidhur shumë me familjen dhe nuk mund të paramendoj të jetoj jashtë Kosovës. Mund të lëviz, të udhëtoj, të mbaj koncerte, por si bëhen më shumë se dy javë unë filloj t’i numëroj ditët se kur do të kthehem në shtëpi”, ka treguar Ledri.
Risitë për vitin 2017 nga ana e artistit do të jenë befasuese për publikun. I pyetur nga ne nëse do të ketë ndonjë bashkëpunim të dytë me artisten Era Istrefi, por tashmë për tregun botërorë, ai është shprehur: “Kjo futet në ato risitë që kanë të bëjnë edhe me Erën, kështu që po e lëmë këtë gjë pa përgjigje, por ju ftoj që t’i përcillni të rejat lidhur me të, sepse viti 2017 do të jetë shumë i frytshëm për Erën”.

Muzika është ajo që Ledrin e sjellë gjithmonë para publikut, por Ledri Vula ka studiuar për regji dhe tashmë është pak para magjistraturës. Por për arsye të angazhimeve në muzikë, kjo pjesë ka mbetur pak anash, por sipas tij gjysma e trurit të tij vazhdon të qëndrojë aty.
“Muzika është preokupimi im primar momentalisht, por regjia është një dashuri si duket gjenetike e trashëguar nga babi im dhe asaj në asnjë mënyrë nuk mund t’i ikë. Kjo gjë shihet edhe në spotet që unë i kam publikuar deri tani. Në asnjë moment nuk lejoj të dalë një klip që nuk e ka vulën time”.

Ledri tashmë ka filluar punën për të sjellë një projekt filmik dhe publiku në të ardhmen do të ketë rastin të shohë Ledrin edhe si regjisor. “Mund të them se në tavolinë janë hedh disa ide për skenarë dhe njëri prej tyre tashmë ka filluar të punohet. Është në fazën e parë, atë të hulumtimit, por edhe kjo gjë mjafton për vitin 2017”, ka treguar artisti. Kur flasim për Ledrin, një armë e fortë e tij është edhe dukja, gjithmonë me shumë stil një energji shumë pozitive, e kur gjithë kësaj ja bashkëngjisim edhe sukseset e tij si artist, kjo ka bërë që ai të jetë edhe imazh i shumë kampanjave.

“E çmoj shumë partneritetin që kam në kampanjën për Princ Cafen. U jam mirënjohës udhëheqësve të kompanisë që më kanë zgjedhur të jem imazh i produktit të tyre. Poashtu i jam mirënjohës edhe agjencisë Zeropozitive Publicis për spotet e realizuara me aq përkushtim”. E krejt për fund Ledri Vula tha për KultPlus se vitin 2016 e vlerëson si një vit shumë të suksesshëm, ndërsa për vitin 2017 ai premton shumë projekte të reja.

burimi: KultPlus.com


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.