Gazeta franceze, « L’Humanité », të hënën e 10 Prillit 1939, ka botuar, në faqen n° 3, shkrimin (thirrjen) e Partisë Komuniste Italiane, e cila asokohe është shprehur qartësisht dhe publikisht kundër pushtimit fashist të Shqipërisë.

 

Një zë i fuqishëm i saj në mërgim, « Nicoletti », pseudonim i Giuseppe Di Vittorio-s, nëpërmjet këtij shkrimi – ku vlerëson guximin dhe trimërinë e popullit heroik shqiptar – u drejtohej bashkombasve të tij me qëllim për t’i dhënë fund marrëzisë fashiste.

 

Në vijim do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

 

 « Agresioni i qeverisë fashiste italiane kundër Shqipërisë së vogël është një akt plaçkitës dhe grabitës që e turpëron Italinë.

 

Ky agresion i ri fashist, veçanërisht i turpshëm dhe revoltues, nuk ka për qëllim vetëm plaçkitjen e popullit shqiptar dhe shkatërrimin e plotë të pavarësisë së tij kombëtare; por edhe hyrjen në një faze të re të planit kriminal të boshtit Berlin-Romë për pushtimin dhe fashizmin e Evropës.

 

Populli italian, i rraskapitur nga katër vitet e luftës grabitqare, i braktisur në mjerimin më të madh, dëshiron paqen. Ai duhet t’i përgjigjet denjësisht thirrjes plot emocion që i ka drejtuar populli heroik shqiptar, i cili me lavdi mbron me armët në dorë pavarësinë e tij kombëtare kundër një armiku njëqind herë më të fortë.

 

Agresori i popullit shqiptar është shtypësi i popullit italian.

 

Detyra absolute e popullit italian është të mbështesë me të gjitha mjetet luftën e popullit shqiptar për të përzënë pushtuesin fashist nga toka e tij.

 

Miqësia e dy popujve, nën aspiratën e tyre të përbashkët për liri, u betonua me fitoren e përbashkët në vitin 1920, kur revolta shqiptare kundër pushtimit të imperializmit italian dhe lufta e popullit italian – e cila arriti kulmin me revoltën e ushtarëve dhe punëtorëve të Ankonës – detyruan qeverinë italiane të tërheqë trupat e saj nga Vlora dhe të njohë pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.

 

Duke u frymëzuar nga ky shembull fitimtar, populli italian duhet të pengojë dhe të sabotojë në mënyrë aktive ekspeditën e turpshme fashiste në Shqipëri, e cila shkakton një atentat të ri ndaj të drejtës së popujve për vetvendosje dhe provokon një luftë të tmerrshme ndaj popujve të Ballkanit dhe të gjithë Evropës. »

 

Dhe thirrja e Partisë Komuniste Italiane mbyllet :

 

« Jashtë Shqipërisë trupat italiane !

 

Të ruajmë paqen nëpërmjet disfatës së fashizmit agresor !

 

Bashkim të popujve kundër fashizmit shtypës dhe luftënxitës, për paqe dhe liri !

 

Për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Italisë – Nicoletti. »

Nga Aurenc Bebja*, Francë –   10 Qershor 2017

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit :https://www.darsiani.com/la-gazette/l-humanite-1939-nje-thirrje-nga-partia-komuniste-italiane-jashte-shqiperise-trupat-italiane-te-mbrojme-pavaresine-e-popullit-heroik-shqiptar/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.