Kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së sotme ka pritur në Beograd kandidatët e Listës Serbe për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Liderët serb kanë shprehur mbështetjen e tyre për Listën Serbe rreth zgjedhjeve në Kosovë. Madje është thënë se deputetët e kësaj liste përbëjnë garanci për mos lejimin e formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Ministri i Punës dhe i çështjeve sociale e të luftëtarëve, Aleksandar Vulin, ka thënë se falë Listës Serbe sot nuk ekziston Ushtria e Kosovës. Madje ai është shprehur se serbët nuk guxojnë që të lejojnë jetësimin e deklaratave të Ramush Haradinajt lidhur me ushtrinë.

“Po të mos jenë deputetët të cilët flasin njëmend në emër të popullit serb, të jeni të sigurt se Ushtria e Kosovës do të jetë faktor i ri në Kosovë e Metohi. Kur t’i dëgjoni kandidatin për kryeministër Ramush Haradinajn i cili kërcënon se do të arrijë deri te Nishi, mund të merret me mend se çfarë do të bëjë kur ta ketë ushtrinë. Serbët nuk guxojnë ta lejojnë këtë”, citohet të ketë thënë Vulinin.

Tutje Vulin ka thënë se “Serbe ka për detyrë që bashkë me popullin serb në Kosovë të korrë fitore bindëse dhe të mos lejojë që ndonjë mandat të dalë jashtë Listës”

Ai tha se Qeveria e Serbisë mbështet Listën Serbe dhe kandidatët e saj për zgjedhjet në Kosovë.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se “më 11 qershor në Kosovë e Metohi mbahen zgjedhje vendimtare për mbijetesën dhe fatin e popullit tonë dhe të ardhmen në krahinën serbe jugore”.