Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, Hazbi Lika, sot priti në takim Shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, Samuel Zhbogar.
Gjatë realizimit të këtij takimi të parë mes zëvendëskryeministrit Lika dhe Zhbogar, në fokus ishte implementimi dhe avancimi i mëtutjeshëm i Marrëveshjes së Ohrit.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se çështja e ligjit të gjuhës është proces në realizim e sipër, miratimi i të cilit është garanci për implementimin dhe avancimin e shtyllave kyçe të Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendëskryeministri Lika theksoi se problematika e sistematizimit të administratës shtetërore kërkon intervenim emergjent për të arritur një përfaqësim institucional të drejtë dhe shërbime të avancuara administrative, synim ky që pretendon të realizohet nëpërmjet planit të përbashkët strategjik me partnerët e koalicionit.

Së fundmi, Lika dhe Zhbogar, konstatuan se divergjencat në mes komuniteteve duhet të tejkalohen dhe kështu të krijohet një klimë e theksuar bashkëpunimi pa dallime etnike, kulturore dhe fetare.