Partia e Nikolla Gruevskit insiston me çdo kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare bashkë me ato lokalet, si i vetmi shpëtim për dalje nga kriza politike. Një ndër alternativat tjera për tejkalimin e krizës, për VMRO DPMNE-në është edhe Qeveria pakicës.
Mendojmë se Qeveri e pakicës e cila do të punonte në realizimin e  projekteve të votuara prej një pjese të qytetarëve, është një zgjidhje, ndërsa zgjidhja tjetër e mundshme të mbahen njëkohësisht zgjedhje parlamentare dhe lokale në qershor ose korrik. Kemi ligj për qeveri, ligj për zgjedhje, do të punojmë në bazë të tyre, ata të cilët janë përgjegjës do ti respektojnë ato ligje, por mbi të gjitha KSHZ-ja si organ përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve do ta kishte rolin kryesor – tha Antonio Milloshovski VMRO – DPMNE.

Por LSDM-ja kundërshton këtë propozim të VMRO-së, me arsyetimin se në Kuvend ka shumicë parlamentare e dalë nga zgjedhjet e para tre muajve. Petre Shilegov tha se problemi i vetëm i VMRO-së është kalimi i tyre në opozitë.

Kur është në pyetje VMRO DPMNE bëhet fjalë për mos dhënien e pushtetit me qëllim të largimit të mundësisë që dikush prej tyre të mbaj përgjegjësi para institucioneve të shtetit për atë që ne e quajmë qeverisje kriminale gjatë 11 viteve të kaluara. E vendosin Maqedoninë tek vendet jodemokratike, për shkak se transferimi i qetë të pushtetit është simbol i demokracisë.  Zgjedhjet e reja që kërkon nuk janë dhe nuk mund të jenë zgjidhje, për shkak të disa arsyeve: kishim zgjedhje para tre muajve, kemi shumicë të formuar parlamentare në Kuvend e cila duhet të marr qeverisjen prej VMRO – DPMNE-së – deklaroi Petre Shilegov LSDM.

Edhe analisti Ismet Ramadani vlerëson se kërkesa për zgjedhje të parakohshme është e papranueshme në këtë periudhë pasi këtë gjë e kundërshton shumica parlamentare.

Ajo që kërkojnë deputetët e VMRO – DPMNE-së është absurde dhe e papranueshme sepse nuk pranohet as nga shumica e qytetarëve këtu në Maqedoni, nuk pranohet nga partitë të cilët duhet të marrin pjesë në zgjedhje, pra nuk pranojnë zgjedhje të reja. Këtë nuk e miratojnë edhe faktorët ndërkombëtare siç janë BE dhe SHBA, nuk e miratojnë as partitë e djathta ku bënë pjesë partia e Gruevskit VMRO – DPMNE-ja – tha analisti Ismet Ramadani.

Ditë më parë VMRO DPMNE-ja shpalosi planin për dalje nga kriza politike në të cilin parashikon marrëveshje mes partive politike që të mos lejojnë më ndërhyrje të jashtme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe shteteve fqinje. VMRO-DPMNE-ja kërkon që të qartësohet rëndësia e parimit “fituesi me fituesin” si dhe të theksohet qartë në ligj se kujt i takon posti i kryetarit të Kuvendit. Por ky propozim u hodh poshtë nga të gjitha subjektet politike, ndërsa analistët e vlerësuan si dokument që çon drejt federalizmit të shtetit.