LSDM-ja ka reaguar ndaj deklaratave të Nikolla Gruevskit për gazetën serbe “Blic”, i cili tha se do të mjaftonte një shkëndijë e vogël dhe do të ndizej tërë Ballkani. Ai gjithashtu akuzoi LSDM-në dhe Zoran Zaevin për tradhëti kombëtare, për shkak se sipas tij, kanë pranuar Deklaratën e partive politike shqiptare. Nga LSDM-ja thonë se Gruevski nuk është faktor dhe se shumë shpejtë do të ketë qeveri të re.
“Nikolla Gruevski duhet ta pranojë se ekziston shumicë e re parlamentare, e cila është në proces për formimin e qeverisë së re reformuese, sipas vullnetit të shumicës së qytetarëve. Çfarëdo që bën Gruevski, nuk mund të bëhet faktor, për shkak se koha e tij në politikë ka mbaruar. Gruevski gënjen kur flet për federalizimin e shtetit, për shkak se ai është gënjeshtar”, thuhet mes tjerash në reagimin e LSDM-së.
Nga partia e Zoran Zaevit gjithashtu thonë se do të ketë kryetar të ri në Kuvend dhe qeveri të re reformuese, e cila do të jetë e qytetarëve dhe do të formohet sipas Rregullores së Kuvendit, Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë.