Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, nisur dhe nga komentet e shumta për marrëveshjen politike “Rama-Basha”, e ka komentuar atë si jo perfeken teksa ka theksuar se gjithçka u bë për një qëllim të mirë.
Do të jetë pikërisht kutia e votimit ajo që do të përcaktojë se kush ka fituar nga kjo marrëveshje dhe kush do të humbë, ndërsa fton demokratët që të plotësojnë postet që morën në tavolinë nga kjo marrëveshje.

Komenti

– Marrëveshje perfekte në politikë nuk ka. E tillë është edhe marrëveshja midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kush diskuton se kush fitoi dhe kush humbi nga marrëveshja midis PS dhe PD kërkon që ta keqinterpretojë atë. Është jashtë çdo diskutimi që marrëveshja të prodhojë një fragment bashkëqeverisjeje… për diçka mbi 35 ditë. Partia Demokratike duhet të gjejë shpejt “teknikët” që mori në tavolinë. Ajo, gjithashtu, duhet të numërojë ditët për fushatën elektorale deri në 25 qershor. Marrëveshja e ka udhëkryqin “të gjitha ose asgjë”.

– Edi Rama njihet për veprimet e gabuara për qëllimin e duhur. “Pikturat” e tij në politikë kanë kuptim kur shikohen në fund dhe jo në fillim. Fillimi duket zhgarravinë!…

– Marrëveshja Rama – Basha ishte një mirëkuptim midis kundërshtarësh për funksionimin e sistemit politik i cili po vetëmbytej nga pasioni politik. Ajo largoi vendin nga dhuna dhe dëshpërimi që do të çonte shoqërinë në drejtim të paditur. Kjo marrëveshje nuk diskuton simpatitë por interesat. Ajo nuk sfidon bashkëpunimin e së majtës por papërgjegjshmërinë në politikë.

– Marrëveshja e futi në kutinë e votimit “revolucionin opozitar”. Aty do të ndahet se kush fitoi dhe humbi. Marrëveshja përkufizoi konfliktin politik në vend si derë të hapur të bashkëpunimit. E natyrshme në panatyrshmërinë e vet ajo fton votuesit në 25 qershor të votojnë përmbajtjen dhe jo formën në politikë. Marrëveshja vë në diskutim fate politikanësh por jo të ardhmen e Shqipërisë. Sigurisht!