Leonidha Mërtiri

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, këto ditë i bëri thirrje Rusisë dhe përkrahësve të saj në këtë republikë që t’i mbajnë duart larg nga destabilizimi i vendit të tij. Markoviq njihet si krahu më i afërt i Millo Gjukanoviq, ish-kryeministrit që dha dorëheqjen në tetor të vitit të kaluar, pas njëzetepesë vitesh në pushtet dhe që sot mban vetëm postin e kreut të Partisë Demokratike Socialiste (PDS).

Kryeministri aktual dymbëdhjetë vite më parë mori drejtimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare dhe më pas atë të zëvendëskryeministrit për Problemet e Sigurisë dhe Politikës. Duke qenë edhe në kontakte me agjencitë e shërbimeve speciale, prej kohësh, me shqetësim ai ka bërë të njohur rrezikun rus për Malin e Zi. Duket, bashkimi i Malit të Zi me Aleancën e Atlantikut të Veriut, ftesa për t’u bërë vendi i 29-të i saj, nuk mund të mos zgjonte nervozizmin e rusëve, teksa për malazezët kjo të ishte nga ngjarjet më të rëndësishme pas Shpalljes së Pavarësisë në vitin 2006.

Nënshkrimi më vonë i Protokollit me NATO-n, pas miratimit në Parlament të rezolutës për anëtarësim në këtë aleancë, në vitin 2015, vetë fryma perëndimore e shtetit të 650 mijë banorëve, bëri që tonet e Moskës të ngrihen. Dhe, kjo motivohej, sipas zëdhënësit të Kremlinit, se “nuk i kontribuonte sigurisë në Evropë, por rritjes së tensioneve në kontinent”. Aleatja tradicionale e Malit të Zi dhe Serbisë, e joshur përherë nga zona e Ballkanit, e ka parë këtë të pandarë nga interesat dhe nën influencën e saj, me oreksin e rritur, për ndikim më të madh në këtë rajon.

Bashkimi i Malit të Zi me NATO-n, përjetuar si goditje për të, i ka luhatur marrëdhëniet e Rusisë me republikën e vogël ballkanike. Ato do të pulsonin më tepër, pas përkrahjes nga kjo e fundit, të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Rusisë, ndryshe nga Serbia, për shkak të sulmeve në Ukrainë dhe aneksimit të Krimesë. Kërcënimet ndaj Malit të Zi, të zëshme apo të pazëshme, u trupëzuan me ndërprerjen diku të projekteve të përbashkëta. Investimet dhe financimet ruse, deri para pak muajve, për afro një dekadë, kapnin shifrën rreth dy miliardë euro.

Por, pavarësisht njëfarë rënieje të tyre gjatë kohëve të fundit, Rusia vazhdon të jetë e pranishme në këtë vend. Në duart e disa biznesmenëve të njohur rusë janë pasuri të paluajtshme, sidomos në bregdetin malazez. Për pasojë, kjo nuk mund të mos sjellë tek ata forcën ndikuese të tyre në jetën e vendit. Po kështu, turistët rusë janë këtu vizitorët më të shumtë dhe më të shpeshtë. Intensiteti i ndërhyrjeve ruse, taktikat e përdorura, nuk janë të panjohura.

Është kjo arsyeja që e bën kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, të pohojë jo më kot se aleanca është në dijeni të ndikimit të rritur rus në Ballkan dhe intervenimit në proceset politike në Mal të Zi. Këto ndërhyrje apo provokime kanë ndërkohë mbështetjen, nxitjen edhe të forcave proserbe në vend. Zyrtarë të lartë të Podgoricës vazhdojnë të akuzojnë Shërbimet Sekrete Ruse, por edhe Serbinë, për përfshirje në atentatin e dështuar në tetorin e kaluar ndaj Gjukanoviqit dhe në përpjekjet për organizimin e një puçi gjatë zgjedhjeve parlamentare, për të sjellë në pushtet njerëz të tyre të opozitës, përfaqësues të së cilës nuk kanë pushuar me ecejaket e tyre në Moskë.

Për këto forca, edhe ëndrra për njësimin e Serbisë me Malin e Zi mbetet përsëri e tillë. Kisha Ortodokse Serbe dhe kreu i saj, peshkopi Amfilohije, të njohur gjithashtu për antiatlantizmin e tyre, janë mbështetje e kësaj ëndrre. Pas disa javësh, me ratifikimin nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut të Protokollit për anëtarësim në NATO, Mali i Zi, përmes sfidave, bëhet anëtar i saj.

Shqipëria, duke vlerësuar sigurinë rajonale, NATO-n, si mbrojtëse dhe prodhuese të stabilitetit, u bë vendi i parë që firmosi për anëtarësimin e fqinjit të vet. Dhe bëri shumë mirë. Vendosmëria e malazezëve, në rrugën e tyre pa kthim, duket ka filluar t’i bëjë rusët të ulin disi tonet. Në disa deklarata të fundit të tyre “respektohet” “zgjedhja sovrane e malazezëve”. Pavarësisht sfidave në këtë drejtim, edhe udhëheqja malazeze, si e një vendi anëtar të NATO-s, shpreson sërish në përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë. Sikurse ndodh kështu edhe me vendet e tjera, anëtare të kësaj aleance.