Zyra e shtypit e Presidencës ka zbardhur detaje nga biseda e zhvilluar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur nga kreu i shtetit me kërkesë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta në lidhje me çështjen e Klement Balilit dhe me atë të kultivimit të kanabisit në vend.

Sipas një njoftimi për shtyp, presidenti i Republikës theksoi që në fillim të takimit se shqetësimi i ngritur është serioz, legjitim dhe i nevojshëm për të nënvizuar më fort angazhimin dhe bashkërendimin e veprimeve të agjencive ligjzbatuese të lidhura drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare.

“Çështja ‘Balili’ shkon përtej nivelit kombëtar dhe i tejkalon përmasat individuale të rastit në fjalë, sepse ajo është shtrirë dhe ka marrë përmasa të zgjeruara gjeografike në disa shtete fqinje dhe aleate dhe për këto arsye, mbledhja e sotme u thirr pikërisht për të diskutuar, përcaktuar dhe këshilluar mbi hapat e marrë, ndjekjen dhe vijueshmërinë e veprimtarive institucionale të agjencive ligjzbatuese lidhur me hetimin e mëtejshëm të saj”, u shpreh presidenti Nishani.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në fjalën e tij argumentoi kërkesën drejtuar kreut të shtetit për të thirrur mbledhjen me faktin se rasti konkret përbën jo vetëm një shqetësim të madh publik me ndjeshmëri të lartë, por ka tërhequr edhe vëmendjen e aleatëve dhe partnerëve strategjikë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe agjencive ndërkombëtare ligjzbatuesve. Sipas Metës, këta faktorë kanë ngritur pikëpyetje për seriozitetin e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomenit të trafikimit të drogës, duke dëmtuar njëkohësisht edhe imazhin e vendit.

Më pas të pranishmit referuan dhe diskutuan lidhur me veprimet institucionale dhe koordinimin sa më të mirë të të gjitha agjencive ligjzbatuese, në bashkëpunimin edhe me partnerët ndërkombëtarë, për të luftuar në mënyrë sa më efikase krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

Në mbyllje, presidenti Nishani e vuri theksin tek rëndësia dhe domosdoshmëria e mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, duke vlerësuar nismën e ndërmarrë nga kryetari i Kuvendit, si dhe falënderoi të pranishmit për kontributin e tyre, sipas njoftimit për shtyp, “produktiv dhe konstruktiv”.

“Çështja e diskutuar paraqitet shumë problematike dhe komplekse dhe me rrezikshmëri të lartë jo vetëm për mungesën e deritanishme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit, trafikut të narkotikëve dhe pastrimit të parave, por dhe për vetë faktin që edhe partnerët tanë dhe agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese janë të interesuar për zgjidhjen sa më të shpejtë të saj dhe kanë shprehur shqetësimin disa herë. Kjo ilustron përmasat e mëdha që çështja mbart jo vetëm duke cënuar sigurinë tonë kombëtare, por duke kapërcyer edhe kufijtë e vendit tonë. Kjo mbledhje ishte e domosdoshme dhe e rëndësishme, sepse ajo u fokusua jo vetëm te rrezikshmëria e fenomenit të narkotrafikut, por edhe te nevoja për një koordinim sa më të mirë e të efektshëm dhe rrijen e përgjegjshmërisë së të gjitha institucioneve ligjzbatuese në raport me përgjegjësitë e tyre institucionale”, u shpreh Nishani./Top Channel