Kanali qeveritar rus Sputnik ka botuar një shkrim të ashpër akuzues ndaj qeverisë amerikane duke e akuzuar se po punon aktivisht që të sjellë në pushtet në Kosovë dhe Maqedoni dy qeveri me përbërje të ushtarëve të UÇK-së.

Ky medium nën kontroll të presidentit Vlladimir Putin thekson se “dashurinë” ndërmjet SHBA-së dhe UÇK-së e ka forcuar interesi i përbashkët dhe kështu, pas 18 vjetëve, mund të thuhet se kjo dashuri ka arritur kulmin. Kjo dashuri, sipas Sputnik, do të prodhojë dy qeveri të UÇK-së në Ballkan..

Sputnik citon deklaratat e gazetarëve zyrtarëve të lartë serbë dhe maqedonas të cilët shprehin mllefin e tyre për dy qeveritë e UÇK-së në rajon.

Marrë parasysh se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, sipas të gjitha parashikimeve, shkruan Sputnik, qeveria e re do të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj,  ish komandant i UÇK-së, i cili nga viti 2004 deri më 2005 ka qenë kryeministër.

Sipas Millovan Drecun, ish krahut të djathtë të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, sot kryetar i të ashtuquajturit “Komitet për Kosovën e Metohinë” në Kuvendin e Serbisë, krejt këto zhvillime tregojnë se rajoni do të destabilizohet në periudhën vijuese.

“Fare qartë bëhet fjalë për forcimin e nacionalizmit shqiptar, dhe mbase, do të thoja, ede nacionalizmit shqiptarmomadh, që më së miri pasqyrohet nga partitë politike liderët e të cilave janë pjesëtarë të atyre organizatave terroriste që e kanë shkaktuar luftën në Kosovë dhe Metohi dhe në jug të Serbisë qendrore e në Maqedoni,” ka thënë Drecun.

Nga ana tjetër, gazetari maqedonas, Milenko Nedelkovski thotë ka thënë për Sputnik se gjithçka në botë ka ndryshuar, nga normat morale e deri në atë se bashkësia ndërkombëtare praktikisht tani është inekzistente.

“Komandantët e periudhës së luftës të cilët kanë ardhur nga Kosova, gjegjësisht nga Bondsteel-it,tani kanë më shumë se tetë ministri, gjë që vetëm se tregon se ata janë pjesë kyçe e kësaj qeverie të ri në Shkup. Të gjithë ata kanë qenë në kabinetin e Edi Ramës në Tiranë për t’u dakorduar për “platformën e Tiranës”, ndërsa Rama e ka mbajtur këtë takim me hartën e “Shqipërisë së Madhe” në mur, e cila shkon gati deri në Nish, dhe e përfshinë një pjesë të madhe të Maqedonisë, Malit të Zi dhe një pjesë të Greqisë të cilën ata e quajnë Çamëri”, theksoi Nedelkovski.

Sputnik shkruan se në pranverë të vitit 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, administrata amerikane i ka armatosur 10,000 pjesëtarë të UÇK-së me 25 milionë dollarë për një periudhë tetëmbëdhjetë mujore, gjë që, sipas portalit qeveritar rus, e ka siguruar suksesin e UÇK-së e cila me sukses i ka realizuar synimet e asaj kohe.(Kosova Sot)