Në Komitetin e Sigurisë dhe Shërbimit Ushtarak të Senatit të SHBA u zhvillua Forumi i Dytë për Terrorizmin dhe Sigurinë Kibernetike me iniciative të Senatorit Jim Inhofe dhe Ish-Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu.

Në këtë takim morën pjesë senatorët Mike Rounds dhe Mike Perdue, kongresmeni John Ratcliffe, kongresmeni Robert Aderholt si dhe James Carafano, një nga njerëzit kryesor për sigurinë në ekipin e tranzicionit të Presidentit Donald Trump.

Pjesë e këtij forumi ishin përfaqësues nga pothuaj gjithë vendet e Ballkanit, anëtarë të Bundenstagut, Parlamentit Evropian dhe Austrisë.

Në këtë takim të drejtuar nga Senatori Inhofe dhe Mediu, në emër të Shqipërisë fol ish-kryeministri Majko, ndërkohë që një tjetër i ftuar nga Shqipëria ishte edhe deputeti Astrit Veliaj.

Mediu parashtroi në fillim të takimit situatën e vështirë në Ballkan, provokimet dhe tensionet etnike, ndërhyrjen ruse, pretendimin e saj për të ndërtuar një aleancë ushtarake në Ballkan për t’ju kundërvënë zgjerimit të NATO-s.

“Situata në vendet e Ballkanit është shqetësuese përveç problemit të “foreign fighters” dhe kthimit të tyre, situata e krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikut të drogës e bën problemin më prezent dhe shqetësues”, ka thënë Mediu, raporton Manastiri Lajm.

Ai theksoi po ashtu se situata në Shqipëri dhe mungesa e vullnetit të qeverisë po vendos në rrezik serioz zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat, siç tha ai, janë vendimtare për Shqipërinë.

Të gjithë folësit theksuan nevojën e bashkëpunimit rajonal dhe luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe njohjen dhe marrjen e masave kundër “Cyber threat”.

Senatorët dhe kongresmenët, si dhe Carafano shprehën gatishmërinë për bashkëpunimin konkret dhe angazhimin e administratës Trump në këtë marrëdhënie.‎