Atdhtarët tanë janë të shumtë ashtu si edhe shtrirja e aktivitetit të tyre atdhetar.

Një nga ata burra që iu gëzonte zemra për Shqipërinë ishte edhe ka vënë gjithë jetën në shërbim të vendit ka qenë edhe atdhetari Mehmet Derralla, bir nga familja e dëgjuar e Hasan Pashë Dërrallës.

Mehmeti kreu arsimin fillor në Tetovë (vendlindje), kurse shkollën e mesme e kreu në Shkup.

Pas shkollimit në vendlindje, ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, çfarë ndikoi që për disa vite të shërbente në Anadoll, i emëruar në një regjiment këmbësorie.

Këtu u vlerësua “i zellshëm, me perspektivë”. Vazhdoi më pas të studiojë në Akademinë e Shtatmadhorisë në dhe pas përfundimit të shkollës do të fitonte vendin e komandantit të xhandarmërisë në Bagdad, Irak, dhe më vonë në Halep, Siri.

Mehmet pashë Dëralla evidentohet me aktivitet në Stamboll edhe në vitin 1909, i lidhur me klubin “Bashkimi” të Stambollit.

Me nismën e Dr. Ibrahim Temos e të Mehmet pashë Dërallës dhe doktor Zenel Abedinit u formua “Komiteti Nismëtar Kombëtar” në Aksaraj të Stambollit, i cili organizoi një mbledhje me deputetët shqiptarë, me intelektualë të shquar dhe veprimtarë të tjerë që jetonin e vepronin në kryeqytet, për të ndërmarrë hapa konkretë kundër veprimeve barbare të Xhavit Pashës në Lumë.

Mbledhja u mbajt më 27 tetor 1909, në shtëpinë e Aqif Pashës, në të cilën morën pjesë 80 deputetë, intelektualë e veprimtarë të dalluar.

Kjo mbledhje miratoi formimin e “Komitetit Kombëtar”, duke synuar të shmangeshin mosmarrëveshjet midis qarqeve drejtuese shqiptare dhe të krijoheshin kushte për një bashkëveprim e qetësim të gjendjes në vend.

Në zbatim të vendimeve të kësaj mbledhjeje u zhvillua mbledhja tjetër më 5-6 nëntor 1909, ku u analizua gjendja e rëndë në Shqipërinë Verilindore, duke kërkuar njëkohësisht të ngrihej një komision për të hetuar shkaktarët e gjakderdhjes dhe dënuar fajtorët.

Edhe në mbledhjen e dytë rolin kryesor e morën Mehmet pashë Dëralla (gjeneral), Sulejman pasha (senator), Aziz pasha (deputet i Beratit), Hasan Prishtina (deputet i Prishtinës) dhe Rexhep efendi Tetova-Voka (myfti i Manastirit).

Roli i Mehmet Pashë Dërallës në çështjen kombëtare u rrit më tej në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912, ku ishte përkrah burrave të kombit, që kishin në ballë Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Isa Boletinin, Riza bej Gjakovën, Idriz Seferin, Islam Spahiun, Qerim beg Begollin.

Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish-qendrës së vilajetit të Kosovës.

Gjeneral Mehmet Dëralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës burrërore të shqiptarëve përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë Veriore.

Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi.

Në fillim të vitit 1912, në “Arabati Baba Teqe” të Tetovës, u mbajt takimi konsultativ për përgatitjen e përgjithshme, kryesuar nga Mehmet pashë Dëralla, e cila përkoi me shpalljen e zgjedhjeve parlamentare nga xhonturqit, më 15 janar 1912.

Në këto zgjedhje Mehmet pashë Dëralla u caktua kandidat për deputet në parlamentin xhonturk.

Ndërkohë, i biri i Mehmet pashës, Mynipi, i bëri atentat komandantit të garnizonit të Tetovës, çfarë tensionoi më shumë situatën në Tetovë.

Sipas komunikimeve telegrafike me Elbasanin, më 20 nëntor janë njoftuar Irfan Ohri e Mit’hat Frashëri se: “Ndodhen këtu Mehmet pashë Tetova (Dëralla), Riza bej Gjakova, Ajdin Draga nga Mitrovica, Isa bej Buletini, Qazim beu, nipi i Halil pashës nga Peja, Hamet Agai, biri i Naxhi Tahir Agait nga Jeni Pazari” .

Pak kohë më pas, me telegram nr. 3477, u njoftua përsëri Mit’hat Frashëri me Sali Gjukën se: “Mehmet pasha, Isa Buletini, bashkë me delegatin e Dibrës, Vehbi Agollin, u nisën për atje (Vlorë). Më 21 nëntor, Mehmet Pashë Dëralla, nga Dibra vazhdoi rrugën për në Vlorë e jo për në Durrës, siç ishin njoftuar më parë.

Grupi delegatëve rrugëtoi nga Dibra në Borovë, në Rupnik, në Librazhd, në Elbasan, vijoi në Belsh (nëpër Dumre), në Lushnjë, në Imeshtë, në Mbrostar, në Fier dhe në Vlorë.

Sipas telegramit të Hasan bej Biçakçiut, dërguar Dervish beut (Biçakçiut-H.L.) më 11/24 nëntor 1328/1912, ora 06.30 e darkës njoftohet: “Sonte erdhën miq ke ne: Mehmet Pashë Kallkandeleni, Ajdin bej Draga e Isa Boletini.

Nesër në mëngjes vjen Riza beu (Gjakova-Kryeziu-H.L.)…” . Në Elbasan janë pritur nga Aqif pashë Biçaku dhe Shefqet Vërlaci.

Në Fier, janë pritur nga vrionasit dhe në pamundësi për të arritur në ditën e shpalljes së mëvetësisë, njëzëri si grup delegatësh të Kosovë-Dibër , autorizuan Ismail Qemalin “me ngrit flamurin e me deklarue indipendencen e Shqipnis, nesër më 28 nëntor 1912”.

Grupi i Mehmet Dërallës mbërriti në Vlorë pasi ishte shpallur mëvetësia dhe morën pjesë si delegatë në mbledhjen e dytë të Kuvendit Kombëtar, më 17/30 vjeshtë e tretë (nëntor) 1912.

Në protokollin e kësaj mbledhje është shënuar: “Si delegatë të rinj erdhën z. Mehmet Pashë Dëralla, Isa bej Boletini, Ajdin Draga, Dervish bej Ipeku (Peja) nga Kosova, etj…”.

Gjenerali Mehmet Dëralla ka qenë i planifikuar nga kryetari i qeverisë, Ismail Qemali, për t’u caktuar ministër i Luftës pa u votuar, por delegatët kërkuan që procedura të kryhet me votim të fshehtë.

Në votimin e kuvendit për ministrat, 69 vjeçari Mehmet Dëralla, fitoi që në raundin e parë 42 vota nga 58 votues, dhe u rendit i treti, pas Luigj Gurakuqit dhe Mufid Libohovës.

Mehmet Dëralla, në postin e ministrit të Luftës, pati një nga detyrat më të vështira ndër gjithë ministrat.

Zhvillimet politiko-ushtarake në ditët e shpalljes së pavarësisë janë pasqyruar më gjerësisht në jetëshkrimin e Ismail Qemalit, por vlen të evidentohet se pashai tetovar, me grupin e kosovarëve mori mbi vete barrën e rëndë të mbrojtjes së qeverisë së parë të shtetit të ri shqiptar, duke mos pasur asnjë strukturë të mirëfilltë, përveç vullnetarëve dhe mbështetësve të tyre.

Trimat e Labërisë, luftëtarët e Kosovës martire, mbështetësit e Ismail Qemali u bënë ushtarët e parë të fuqisë së luftës, ndërkohë që Janina e Shkodra mbroheshin në rrethim.

Situata kërkonte masa urgjente për të ndaluar serbët që marshonin në brendësi të Shqipërisë së Mesme, ndalimin e shovinistëve grekë që po sulmonin Himarën dhe synonin të merrnin Vlorën.

Urgjente shtrohej detyra të vihej në funksionim Shtabi i Përgjithshëm, i drejtuar prej Ali Shefqet Shkupit, të organizoheshin e mobilizoheshin repartet, të hartoheshin aktet ligjore, të rekrutoheshin oficerët e aftë me ndjenja atdhetarie që kishin shërbyer në ushtrinë perandorake, të mos lejohej dezertimi i rezervistëve dhe të mos rrëmbeheshin armët prej tyre.

Masat e shpejta që u morën për organizimin e ushtrisë, policisë, xhandarmërisë e në veçanti të milicisë më 3 qershor 1912, padyshim që mbajnë mbi vete mendjen dhe kontributin e shquar të gjeneralit Mehmet Pashë Dëralla.

Plaku i urtë por me zemër luftarake afroi rreth vetes rreth 70 oficerë dhe 150 nënoficerë që kishin shërbyer në ushtrinë turke dhe ishin të shkolluar, duke krijuar bërthamën rreth së cilës do të mblidheshin shqiptarë të ndershëm për të plotësuar radhët e Forcave të Armatosura dhe krijimin e ushtrisë së rregullt shqiptare.

Të parët që erdhën nën komandën e tij kanë qenë ushtarakët Ismail Haki Tatzati, Rexhep Shala, Mustafa Maksuti, Mustafa Aranitasi, Ali Fehmi Kosturi, Hysen Prishtina, etj.

Është meritë e Mehmet Dërallës që mundi të organizojë Komandën e Përgjithshme dhe Shtabin Madhor me strukturat përkatëse dhe në varësi të tyre strukturat në prefektura e nënprefektura, komuna e fshatra, duke u përcaktuar edhe përgjegjësitë lëndore e territoriale.

Ai, ndonëse ishte kreu i ministrisë së Luftës, nuk nguroi të kontribuojë në hartimin e “Rregullore për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, më 13 prill 1913 dhe “Rregullore e Qeverisë së përkohshme mbi formimin e Milicisë Shqiptare”, më 3 qershor 1913.

Duket se nga Qeveria Provizore e Shqipërisë, e veçanërisht nga gjenerali i Luftës, Mehmet Dëralla, në atë kohë ishte vlerësuar parësore organizimi i strukturës së Milicisë shqiptare, të cilës iu dhanë kompetenca edhe për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike.

Rregullorja “Milicia Shqiptare”, i përcaktonte asaj misionin “për mbrojtjen e vendit deri sa të formohet ushtria e rregullt”. Ajo (Milicija) do të jetë në varësi të ministrit të Luftës, si strukturë ushtarake.

Sipas kësaj rregulloreje “çdo prefekturë do të konsiderohet si brigadë, ndërsa çdo nënprefekturë një batalion, kurse komunat sa një kompani. Qytetet janë konsideruar kompani të veçanta, kurse fshatrat toga milicie.

Kryetarët e tyre do të gradohen. Rekrutohen moshat 20-40 vjeç. Në secilën komandë të tyre do jetë edhe një regjistër për ngjarjet si dhe një regjistër për statistikën vjetore mbi ngjarjet e ndryshme, të cilat do t’i raportohen Ministrisë së Luftës”.

E rëndësishme është përcaktimi në rregullore për “Detashmentet shëtitës të Milicisë”, ku theksohej se: “Art. 25, Deri sa t’arrijë në shkallën e mjaftueshme organizimi i ushtrisë së rregullt, i Policisë dhe i Xhandarmërisë, për të zënë vendin provizorisht të fuqisë s’armatosur brenda në kufi të sotshëm dhe në vende ku do të shihet nevoja, do të formohen detashmente shëtitës të Milicisë Ushtarake.

Këto detashmente veç se do të jenë nën urdhrin e komandantit të batalionit të atyre zonave (kupto këtu nënprefektin-H.L.) ku ato janë shënuar të shërbejnë, ato do të jenë kurdoherë përkrahësit e Policisë dhe të Xhandarmërisë për të siguruar qetësinë”.

Kjo rregullore detyron punonjësit e Policisë të ndihmojnë në rast nevoje oficerët e Milicisë.

Rregullorja përcaktonte detyrime për Policinë, teksa thekson se ajo angazhohet me detyra “për të mbledhur milicët për qëllime stërvitje ose lufte, apo shoqërimin e tyre në gjendje arresti, kur thirrja ishte për nevoja lufte”.

Sipas këtij detyrimi ligjor kuptohet se qeveria, Policinë, ashtu sikurse edhe Xhandarmërinë e konsideronte në këtë kohë strukturë të besueshme e të sigurt për zbatimin e detyrave të qetësisë e rregullit dhe për më tepër për forcimin e zbatimin me imponim të akteve administrative të saj, çka do të ndikonte dukshëm në publik.

Krahas kësaj, ministri i Luftës, si personi kryesor përgjegjës për mbrojtjen e vendit, mundi të përgatisë aktin ligjor për “Formimin e një Gjindarmërie Shqiptare në krahinat e Jugut”, me mision marrjen në zotërim të territoreve në juridiksionin e saj dhe mbajtjen e rendit e të qetësisë në ato krahina” .

Sipas dekretit, lejohej që xhandarët që nuk do të kenë uniformë të mbajnë si shenjë “një mëngë të kuqe me një vijë të zezë”. Shtypi i asaj kohe shkroi se Ministri i Luftës, Mehmet pashë Dëralla, i ndihmuar nga oficerët holandezë, koloneli De Veer, formoi një xhandarmëri me afërsisht pesë mijë vetë, veshur me uniformë të përafërt me atë italiane.

Në vijim, në dokumentin normativ, përcaktohej: detyrimi për bindje ndaj eprorëve, pranimi do të jetë me kontratë 5-mujore, për vlerësim në vijim të shërbimit, duke u dhënë kompetencë eprorëve për të larguar para kohe ata që nuk plotësojnë kontratën.

Dekreti përcaktonte se “edhe oficerët do të jenë me kontratë 6-mujore”.

Dekreti përmbante edhe rregulla për disiplinën, ndëshkimet, organizimit të këshillit disiplinor dhe këshillit të luftës. Akti u miratua më 3 dhjetor 1913, nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, por në këtë kohë ministri Dëralla pati dhënë dorëheqjen nga kabineti qeveritar.

Të saktësojmë faktin se në atë periudhë pati një “ftohje” në marrëdhëniet Mehmet pashë Dëralla-Ismail bej Qemal Vlora, aq sa që në dhjetor Pashai tetovar u largua nga Qeveria e Vlorës dhe ashtu sikur miku i tij, prishtinasi Hasan bej Vushtrria (Prishtina), u bashkua me Esad Toptanin, fakt që u shpall në gazetën “Përlindj’ e Shqipniës” e cila njoftoi se: “Ministri i Luftës hoqi dorë.

Zoti Mehmet pashë Dërralla, i cili që ditën kur u çpall liria gjendet si ministër i Luftës, e gjet me nevojë të apë lënien nga nëpunësia që kish”.

Gazeta jep si shkak, të paraqitur prej ministrit, se: “Qeveria e Përtashme ka zanë një rrugë dhespotike, krejt kundër ndjenjave liberale”.

Drejtori i gazetës “Shqypnia e re”, i përndrituri Hilë Mosi, njoftoi në gazetën e tij, në fillim janarin 1914 se “Ministri i Luftës, z. Mehmet pashë Dëralla ep lanjen”, akt që e njoftoi edhe gazeta “Liri e Shqipërisë”.

Për hir të së vërtetës këtu duhet pohuar se shumë studiues, dashamirë të Mehmet Pashë Dërallës, tërheqjen e tij e kanë shëmtuar, duke e spostuar si akt kur kishte dhënë dorëheqjen Ismail Qemali.

Anglezi Aubrey Herbert, në ditarin e tij, më datë 9 shtator 1913, ditë e Martë, duke qenë në Vlorë ka shënuar të dhëna për masakrat çnjerëzore të serbëve e grekëve kundër shqiptarëve. Ndër të tjera, ai, përmend edhe ministrin e Luftës, Mehmet Pashën (Dërallën-H.L.), duke shënuar:

“Ai tha se kishte humbur njëqind e pesëdhjetë mijë paund në Kallkandelene (Tetovë); që serbët e kishin ftuar atë të shkonte përsëri qeveritar në Gjakovë e Prizren, por ai kishte refuzuar. Ata pastaj e kërcënuan me humbjen e tij.

Ai tha se disa kohë më parë, një djalë nga Kalkandelene zbrazi pa dashur një armë, por më pas u shoqërua nga serbët. Një përfaqësi prej 42 vetash shkoi të kërkonin falje për atë. Ata të gjithë u vranë pas dy muajsh.

Pas gjithë çfarë ndodhën Mehmet pashë Dëralla qëndroi në Durrës, pranë Esad Toptanit dhe  nuk u largua nga Shqipëria, por priti princ Ëied-in, të cilin e ka shoqëruar në takimin që ai organizoi “me ushtrinë kosovare në kazermat e Durrësit, në qershor 1914.

Fillimisht, në kohën e Wied-it, pashai tetovar u caktua prefekt i Elbasanit, në vendin që lëshoi patrioti Aqif Pashë Biçaku.

Disa kundërshtarë të tij nuk e mirëpriten këtë emërim dhe shkruan në shtypin e atyre ditëve se: “Prefekti i Elbasanit, Mehmet pashë Dëralla, s’di shkrim shqip”.

Më 23 maj 1914, kur u plagos Meleq Frashëri dhe u vranë 13 vullnetarë, midis tyre edhe Ceno Sharra e Haki Glina e shumë të tjerë mbeten rob, Wiedi dërgoi Mehmet pashë Dërallën, me flamur të bardhë në dorë, për armëpushimin.

Lufta vetiu kishte pushuar, por kryengritësit nuk ditën të përfitonin nga fitorja e tyre e pa pritur. Rrethanat nuk lejuan Wied-in të punonte i qetë, madje në një rast ai u detyrua të shkonte në anije, për t’u larguar dhe shpëtuar rrezikut nga kryengritësit.

Kur kryengritësit morën vesh për këtë fakt i çuan fjalë Ëied-it se nuk do t’i bënin gjë nëse ai do t’u kthente në pallatin e tij dhe të bisedonte me ata si burrë.

Duke marrë këto garanci, Wiedi u kthye në pallat. Për marrëdhëniet e Dërallës me kryengritësit e Shqipërisë së Mesme, burime të ndryshme japin të dhëna që nuk përputhen me njëra-tjetrën.

Kur kryengritja e Shqipërisë së Mesme po rrezikonte qeverinë e Wied-it, sipas një lajmi të botuar në gazetën “Dielli”, Ismail bej Qemali propozoi të bëhej marrëveshje me rebelët, Aziz pashë Vrioni u shpreh “po të dojë N.T. mbreti është mirë të vinjë ushtëri në ndihmë”, ndërsa Mehmet Tetova foli: “lipset të vdesim”.

Sipas disa të tjerëve: “Rebelët kërkojnë të bisedojnë me krerët e Kosovës”.

Saktësojmë një të vërtetë: Mehmet Pashë Dëralla ishte në shërbim të princit Wied dhe të qeverisë së Turhan Pashajt, për të mirën e çështjes kombëtare, kurse komentet majtas e djathtas, apo hamendësimet, janë më shumë inate e interesa palësh.

Largimi i Wied-it nga Durrësi dhe Shqipëria, më 3 shtator 1914, solli krijimin e një situatë të vështirë për qëndrimin e patriotëve të çështjes kombëtare në Durrës, ndaj gradualisht të gjithë morën rrugën për Shkodër.

Pushtimi i saj, në qershor 1915 solli arrestimin e pjesës më të madhe të këtij rrugëtimi, ku u përfshi edhe Mehmet Dëralla, i cili prej kohësh gjurmohej nga “Dora e Zezë”.

Ka hamendësime se ai u arrestua në Kosovë, por gjasat janë që të jetë arrestuar në Shkodër dhe prej andej u dërgua në Podgoricë, së bashku me Aqif pashë Elbasanin, Luigj Gurakuqin, etj., prej nga u liruan me ardhjen e austro-hungarezëve në Shqipëri.

Pas lirimit nga burgu shkoi në Pejë, në fisin Begolli, ku kishte familjen e mbesës së tij, Esma Begolli.

Në masakrat që u bënë më 5 nëntor 1915, fisi Dërallaj u bënë objekt sulmesh të egra e barbare të pushtuesve serbë, duke rënë mbi bijtë e këtij fisi një goditje e bishave të tërbuara që kërkonin nënshtrimin e Dërallajve e të gjithë Gradecit e të bijve të tij që i mbështesnin fuqimisht.

Flitet se në vijim Mehmet Dëralla u vu në lidhje me Komitetin Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës, por në dokumentet e atij komiteti emri i tij nuk evidentohet i regjistruar.

Kur e ndjeu çastin e fundit të jetës t’i afrohet, Mehmet Pashë Dëralla, kthehet përsëri në Tetovën e vendlindjes, për t’u prehur aty ku u lind dhe kaloi fëmijërinë. Mbylli sytë në vitin 1918, por i pavdekshëm ngeli në gjirin e popullit të vet.

Mehmet Pashë Dërralla është njohur edhe me katër mbiemra të tjerë: Tetova, Kallkandeleni, Ruzhdija e Kosova.

 

Marrë me shkurtime nga Hilë Lushaku