“Prej janarit deri më tani kanë vdekur pesë të burgosur në Burgun e Idrizovës. Drejtori i burgut, Zhivko Pejkovski, refuzon që të japë dokumente për një nga hetimet që i bën ombucmani, për një paciente e cila ka mundur të vdesë në burg”, thotë avokati i popullit, Ixhet Memeti për SDK.

Ai ka ngritur procedura për të gjitha rastet e vdekjeve në burgun më të madh, nga fillimi i këtij viti, por pengesë është bërë drejtori Pejkovski në hetimin për rastin me një të burgosur e cila ka qenë rëndë e sëmurë me ulcerë të pëlcitur, e cila në momentin e fundit është dërguar në Qendrën Klinike.

Memeti thotë se për herë të parë që nga ekzistimi i avokatit të popullit ndodh që drejtori i një burgut dhe në përgjithësi ndonjë udhëheqës i ndonjë institucionit, ashpër ta pengojë punën e ombucmanit.

“Nuk mundet drejtori Pejkovski që të mos e jep dokumentacionin e plotë medicinal të pacientes e cila ka qenë shumë e rëndë. Më ka dërguar përgjigje që të shkojë atje të bëj ekspertizë, ndërkaq dokumentacioni dhe dëshmitë më duhen që të mundem të ngre procedurë në këtë rast. Ky është presedan. Askush, përveç DSK-së, kur kemi hapur lëndë për përgjimet masive të komunikacioneve nuk e ka penguar hetimin. Pejkovski pamundëson që t’i mbledhim të dhënat dhe dëshmitë për të ardhur deri te gjendja faktike: E burgosura a është ankuar për probleme shëndetësore, pse nuk ka pasur mjek që ta kontrollojë, si ka qëndruar ashtu aq kohë me ulcerë të pëlcitur në lukth”, thotë Memeti.

Megjithatë, Pejkovski thotë se “Burgu i Idrizovës është gjithmonë i hapur për avokatin e popullit”.

“Ekip të tij ka këtu edhe tani kur jemi duke folur. Asnjëherë nuk kemi refuzuar bashkëpunim, asnjëherë ombucmanit nuk i është fshehur dokument. Kështu do të jetë edhe në këtë rast. Do të bisedoj dhe do të kuptohemi se çfarë konkretisht i duhet. Do t’i jap ombucmanit, gjithçka që kërkon, ashtu siç ka qenë praktika deri më tani”, thotë Pejkovski.

Ndryshe, nga tetori i vitit të kaluar deri më tani kanë vdekur 7 të burgosur, për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore. Gjashtë persona kanë vdekur në Burgun e Idrizovës, ndërkaq një në Burgun e Shutkës.