Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes mes shteteve anëtare të BE-së.

Duke folur gjatë një ceremonie në Bruksel, ku u nderua me titull nderi nga 3 universitete belge, Merkel tha se ishte e nevojshme të shpenzonin më shumë parà për të mundësuar intensifikimin e bashkëpunimit.

“Një botë e trazuar, konflikte asimetrike, sulme kinernetike. Këto janë sfidat, me të cilat përballemi të gjithë. Kësisoj është e nevojeshme të përgatitemi për të shpenzuar më shumë parà, në mënyrë që të përmbushim përgjegjësitë tona në NATO dhe BE”, tha Merkel.

Pa ia përmendur emrin presidentit të zgjedhur Donald Trump, kancelarja theksoi se nuk ekzistonin garanci të përjetshme për bashkëpunimin e ngushtë me partnerët përtej oqeanit.

“Le të mos gënjejmë veten. Nga këndvështrimi i disa prej partnerëve tanë tradicionale, e po përfshij këtu edhe marrëdhëniet ndërpaqësore, nuk ka garanci të përjetshme për bashkëpunim të ngushtë me ne europianët”, deklaroi më tej Merkel, përcjell TCH.

Në fillim të muajit dhjetor, Bashkimi Europian vendosi për masat e para sa i përket sigurisë së përbashkët dhe politikës së mbrojtjes. Masat po planifikoheshin prej kohësh dhe shihen si një reagim ndaj dashamirësisë së Donald Trumpit për Putinin, si dhe deklaratave të tij për të mos respektuar klauzolën për mbrojtje të përbashkët nëse një shtet i NATO-s do të sulmohej.