Kardinali Ernest Troshani mbajti një fjalim të shkurtër në Kuvend ditën e enjte, pak përpara se të niste seanca e fundit për këtë vit.

Pas prezantimit që i bëri kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Troshani e nisi fjalën me falënderim për mundësinë që i jepet.

Me modesti ai tha se nuk ka ardhur aty t’u mësojë asgjë të re.

“Nuk kam ardhë me ju mësu asgjë të re, por të falënderoj atdheun se pas një rrebeshi prej dekadash, gjeti forcën të njohë vlerat e bijve dhe bijave të tij. Jam i fundmi dëshmitar i atyre që kanë vuajtur dhe persekutuar. Papa nuk më nderoi vetëm mua, por gjithë shqiptarët. Kemi punuar për ngritjen morale të shqiptarëve, edhe kur nuk kishim mjetet e tjera, kemi gjetur forcë e ngushëllim. Populli ka nda kafshatën e gojës me ne, na ka ndihmuar sa ka mundur. Kujtoni se jeni me një mision të lartë, mos harroni nevojat e popullit, të barabartë para ligjit për t’i shërbyer zotit dhe popullit”, tha ai.

“Kam porosi atnore, Krishti ka shkru pavdekësimin e shpirtit, për atë punoni, çfarë fiton nëse humbet shpirtin? Lutemi për paqe, vllazni e dashni, përpiquni që së bashku çdo njeri të shohë begati, drejtësi e bekim, të jeni më afër problemeve të popullit, politika të jetë shërbim e jo përfitim, atëherë ju do të keni respektin e njerëzve të thjeshtë që kanë besuar te ju”, tha ai.