Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta bëri deklarata të forta në ‘Top Story’, kur tha se ka vetëm një Vetting dhe atë e bëjnë institucionet shqiptare dhe asnjë ambasadë e huaj, përfshi edhe atë të SHBA.

I pyetur për deklaratat e Donald Lu, ai tha se po të ishin bërë nga ndonjë ambasador i ndonjë vendi tjetër, mund të ishin të papranueshme. Ai tha se asnjë ambasador nuk i zëvendëson institucionet.

Për Metën, ose Lu ka informacione shtesë për prokurorë të përjashtuar ose është dezinformuar për kandidatët e Prokurorisë për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Po ashtu, Meta deklaroi se nuk e mbështeti Llallën, por tha se ai bëri transparencën. Kreu i Kuvendit theksoi se Departamenti Amerikan i Shtetit i dha mbështetje ambasadorit Lu, por nuk foli për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, për të cilën ai theksoi se është i gatshëm t’i japë detaje në Uashington.

Kryeparlamentari shprehu habinë se si janë trajtuar disa gjyqtarë që u janë hequr vizat dhe se sipas tij, s’mund të ketë dënim kolektiv. /tch/