Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka nisur me Gjykatën Themelore të Mitrovicës, vizitat nëpër gjykatat e vendit, që kanë për qëllim fuqizimin e sundimit të ligjit, ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies.Hoxha është pritur nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Ali Kutllovci, me të cilin ka diskutuar, mes tjerash, për kushtet e këqija në të cilat kjo gjykatë punon aktualisht në objektin e degës në Vushtrri.

“Me gjithë kushtet e vështira që janë, këtu nuk mungon vullneti dhe përkushtimi i lartë edhe i gjyqësorit dhe prokurorisë për punë. Do të kenë përkrahjen time të fuqishme që edhe më tutje të vazhdojnë me këtë punë të mirë”, tha Hoxha, në një prononcim për Ekonomia Online.

“Nga ana tjetër, jam e përkushtuar që sa më shpejt të shohim që Gjykata Themelore e Mitrovicës të vazhdojë punën në Mitrovicë, ku edhe duhet të jenë, të tregojnë performancën e tyre pranë qytetarit të Mitrovicës dhe rajonit të Mitrovicës.

Do të kenë përkrahjen time të plotë”, theksoi ministrja.Punonjësit e Gjykatës së Mitrovicës që ndodhet në veri të qytetit ishin dëbuar nga atje pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2018, për t’u vendosur në objektin e gjykatës në Vushtrri.Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë foli dhe rreth çështjes së suspendimit të zyrtarëve publikë, të cilët janë duke u hetuar. Kjo me qëllim që organeve të drejtësisë e veçmas t’i mundësohet kryerja e punës në mënyrë efikase dhe me qëllim të shmangies eventuale të mundësisë së pengimit të procedurave hetimore dhe gjyqësore, theksoi ajo.

“Suspendimi i kategorive të caktuara të zyrtarëve publikë konsiderohet si mundësi e mirë që organet e drejtësisë t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore në mënyrë efikase dhe efektive, si dhe konsiderohet si rrethanë që i kontribuon luftimit më të suksesshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Fuqizimi i sundimit të ligjit është thelbësor për synimet tona integruese”, shtoi Dhurata Hoxha.

Për këtë shkak, ajo theksoi se synojnë që përmes ndryshimeve eventuale të legjislacionit ekzistues apo hartimit të ligjit të ri, pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e zyrtarëve publikë, të njëjtit të suspendohen nga marrëdhënia e punës, nga institucionet e Kosovës në rast të ngritjes së aktakuzës për vepra të caktuara penale dhe atë veprat të cilat ndërlidhen me korrupsionin, krimin e organizuar si dhe me keqpërdorim të detyrës zyrtare.Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Kutllovci, e vlerësoi vizitën si tejet të frytshme dhe domethënëse për shkak të qëllimeve të njëjta – fuqizimin e sundimit të ligjit dhe zbatimin e ligjit.

“Mirëpres këtë vizitë për të parë nga afër punimet e Gjykatës Themelore, e cila qe 9 vjet po qëndron në këto kushte të vështira dhe nëse Kosova po sfidohet, kjo po bëhet përmes qytetit të Mitrovicës. Ne qe 9 vjet jemi në kushte shumë të rënda. Ne e kemi obligim sundimin e ligjit dhe nëse këtë nuk e bëjmë atëherë misionin nuk e kemi arritur. Pas kësaj vizite po besojmë që të gjithë faktorët duhet të sensibilizohen”, ka thënë Kutllovci.