Policia e Kosovës ka arrestuar sot disa persona, të cilët dyshohen për përfshirje në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda nën udhëheqjen e Prokurorit Special të Prokurorisë Speciale të RKS-së, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, sot më 23.11.2018, pas hetimeve disa mujore dhe me urdhëresë të gjykatës, ka kryer kontrolle në katër lokacione në qytetin e Mitrovicës-Veri.

“Në këtë operacion janë arrestuar katër persona, tre prej tyre që dyshohen se janë të përfshirë në veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, kurse një person tjetër është arrestuar sepse ka rezistuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kontrollit dhe arrestimit të të dyshuarve për rastin në fjalë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Personat e dyshuar tanimë të arrestuar janë:  A.C. 1965;  N.S. 1976, njëherësh zyrtar policor  në Veri të Mitrovicës;  D.M. 1970, po ashtu zyrtar policor në Veri si dhe M.R. viti i lindjes 1993.

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione po ashtu ka sekuestruar edhe disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin, dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.

Të gjitha veprimet e mëtutjeshme rreth rastit dhe personave të arrestuar, do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë, gjegjësisht prokurorin kompetent të rastit.