Kremlini njoftoi të mërkurën se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të mos mbajnë një takim në Paris për të shmangur zhvendosjen e vëmendjes nga ceremonia përkujtimore që zhvillohet në fundjavë, me rastin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai amerikan Donald Trump do të takohen menjëri-tjetrin shkurtimisht, por nuk do të mbajnë një takim të plotë, të gjatë,”- tha këshilltari i Kremlinit për Çështjet e Jashtme Yuri Ushakov.

Zoti Ushakov tha se Franca shprehu shqetësimin se një takim Trump-Putin do të tërhiqte vëmendjen nga ceremonia përkujtimore e Parisit. Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia vendosën ta shtyjnë takimin deri në fund të muajit, kur të dy udhëheqësit pritet të marrin pjesë në takimin e Grupit të 20-shes që mbahet në Argjentinë.

Të hënën zoti Trump tha se me gjasë nuk do të takohej me zotin Putin në Paris, por gjatë takimit të G-20-shes.

Sipas Yuri Ushakov-it gjatë vizitës së këshilltarit amerikan të Sigurisë Kombëtare John Bolton muajin e kaluar në Moskë, ai dhe zyrtarët rusë biseduan gjithashtu për mundësinë që dy presidentët të vizitonin vendet respektive.

U diskutua për një shkëmbim të mundshëm të vizitave në Moskë dhe Uashington, por nuk ka patur ndonjë diskutim specifik rreth kësaj çështjeje,”- shtoi ai.

Zoti Bolton tha muajin e kaluar se presidenti Putin është ftuar të vizitojë Uashingtonin vitin e ardhshëm, por data e takimit nuk është vendosur ende./VOA