Rruga e fluturimit të raketës balistike që Koreja Veriore e shkrepi sot kishte një distancë të konsiderueshme nga territori rus, dhe për këtë arsyeje nuk ka përbërë asnjë kërcënim ndaj Rusisë, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Sistemi i alarmit raketor i Rusisë e ka detektuar lansimin e raketës rreth orës 23.30 më 13 maj dhe e ka gjurmuar raketën për 23 minuta para se ajo të binte në Detin e Japonisë, rreth 500 kilometra larg bregdetit rus, njofton kjo ministri.
Ndërkohë, sot më herët, një zëdhënës i presidentit rus, Valdimir Putin, ka thënë se Putin, i cili është duke e vizituar Pekinin, është i shqetësuar me testimin raketor të Koresë Veriore.

Koreja Veriore ka testuar sot një raketë balistike e cila ra në Detin e Japonisë 30 minuta pasi që ishte shkrepur.

Para këtij testimi, Koreja Veriore i kishte testuar pesë raketa balistike. Vetëm muajin e kaluar i testoi dy, të cilat i dështuan.

Testimet e vazhdueshme të raketave dhe programi bërthamor i Koresë Veriore i ka ngritur tensionet në rajon, e veçanërisht me SHBA-në e cila ka qenë e zëshme kundër tyre.

Në bazë të rezolutave të OKB-së, Koreja Veriore e ka të ndaluar testimin e raketave balistike dhe zhvillimin e programit bërthamor.