Të katër zërat shqiptarë, në çdo paraqitje të tyren, arrijnë të jenë temë diskutimi për veshjet dhe stilin me të cilin karakterizohen. Që të katër vajzat shqiptare gjithmonë mundohen që përmes zërit të tyre të promovohen edhe trojet shqiptare nga ato vijnë.

Viti 2016-të, nga shumëkush u cilësua si viti i shqiptarëve. Sivjet si edhe viteve të kaluar bujën më të madhe si popull e bëmë në muzikë. Krejt kjo erdhi nëpërmjet katër zërave jashtëzakonisht të fuqishëm. Ishin Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha e Era Istrefi, ato që nuk lëshuan Top Listat botërore për shumë kohë. E në këtë fundvit, ju sjellim një lloj retrospektive duke i kujtuar momentet më të rëndësishme të këtyre këngëtareve që na bënë kohë pas kohe edhe të mbesim pa frymë.

Nisim me Rita Orën. “Hot Right Now”, është kënga me të cilën debutoi Rita në vitin 2012-të. Përgjatë katër viteve kjo këngëtare përpos që solli hite dhe qëndroi gjatë nëpër Top Lista e US dhe UK, ajo u kthye edhe në vendlindje ku realizoj këngën “Shine Light”, këngë e cila më së miri e promovoi Kosovën nëpër botë. Kulminacioni i vitit 2016-të, për Rita Orën, ishte pjesëmarrja e saj në koncertin e shenjtërimit të Shën Terezës, midis artistëve shqiptarë të muzikës klasike dhe futbollistit Lorik Cana.

Kryeqyteti i Kosovës i dhuroj Evropës një zë të fuqishëm siç është Dua Lipa. “New Love”, ishte kënga me të cilën debutoi Dua Lipa në vitin 2015-të. Ndërsa 2016-ën, Dua e nisi me këngën “Last Dance”, e pastaj edhe “Hotter than Hell” e kështu me radhë. Në këtë vit Dua Lipa u nominua edhe në MTV e EMA, ndërsa paraqitjet e saj televizive nuk munguan asnjëherë. Ajo përsëri nuk e harroj vendlindjen ku në gusht të 2016-së, erdhi në Prishtinë dhe mbajti koncertin e saj, fondet e të cilit shkuan për Sunny Hill Foundation. Që të përmbyllet viti 2016-të më së miri për Dua Lipën, u bë edhe një dokumentar për të i titulluar “See in Blue”.

Një zë tjetër në botë erdhi nga Dibra. Bebe Rexha fillimisht e nisi karrierën si tekstshkruese ku krijoj shumë hite për këngëtarë të famshëm. Ndërsa debutimin si këngëtare e bëri me këngën “I Can’t Stop Drinking About You”, këngë kjo që qëndroi gjatë në Top Listën e Billboard. Pas këtij suksesi pasuan edhe këngë të tjera nga Bebe Rexha. Në vitin 2016-të, ajo solli këngën “In the Name of Love” në bashkëpunim me Martin Garrix. Edhe Bebe Rexha ishte e nominuar për MTV dhe EMA. Bebe Rexha poashtu mbajti edhe një koncert në Tiranë, ndërsa tash në fund lansoi këngën e saj të re “I Got You”.

Të tre këtyre zërave në vitin 2016-të, iu shtua edhe zëri i prishtinases Era Istrefi. Era debutoi si këngëtare me këngë “Mani për Money”, të realizuar në vitin 2013-të. Përgjatë tri viteve ajo krijoj hite që dëgjoheshin nëpër të gjitha trojet shqipfolëse. Por padyshim që viti 2016-të do të mbetet gjatë në kujtesën e Erës, pasi që, në fillim të këtij viti ajo krijoj këngën e saj “Bon Bon”, këngë kjo e cila e futi Erën në tregun ndërkombëtar. Me këtë këngë nëpër mediet e huaja Era Istrefi, u cilësua si një zë i kombinuar nga Sia dhe Rihanna. Por 2016-të nuk përfundoj me kaq për Erën, ajo në këtë vit nënshkroi kontratën me Sony dhe Ultra, ndërsa në paraqitjet e saj televizive asnjëherë nuk harroj të flas për vendlindjen.

Të katër zërat shqiptarë, në çdo paraqitje të tyren, arrijnë të jenë temë diskutimi për veshjet dhe stilin me të cilin karakterizohen. Që të katër vajzat shqiptare gjithmonë mundohen që përmes zërit të tyre të promovohen edhe trojet shqiptare nga ato vijnë.

burimi: KultPlus.com


* Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim paraqesin mendimet dhe të drejtat e autorit, nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë së Manastiri Lajm.