Pak ditë më parë, Kryeministri Rama u takua me paraardhësin e tij në parti, Fatos Nano.

Nga takimi doli vetëm batuta e ish-kryetarit të socialistëve, që tha se problem nuk është timoni, por destinacioni.

Por në kujtim të 26-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, ish-kryetari Fatos Nano ka dalë hapur në mbështetje të pasardhësit të tij Edi Rama.

Ish-kryetari socialist ka lënë pas armiqësinë shumëvjeçare dhe u ka kërkuar shqiptarëve të votojnë në 25 qershor rilindjen e Shqipërisë, pa pseudoaleancat e së shkuarës, një referencë e qartë për LSI-në.

Pasaardhësi i tij, Edi Rama publikoi në rrjetet sociale mesazhin e marrë nga Fatos Nano me këtë rast.

“Të dashur Edi e Gramoz! Uroj nëpërmjet jush, gjithë socialistët anembanë Shqipërisë për 26-vjetorin e familjes sonë të patjetërsueshme! Jam i bindur se fitorja e PSSH në zgjedhjet e 25 qershorit do të garantojë Rilindjen e pakthyeshme të Shqipërisë Europiane, pa deformimet e pseudo-aleancave të deridjeshme! Ky është destini dhe destinacioni ynë i përbashkët, prandaj kam shumë besim se çdo shqiptar i arsyeshëm do të vendosë që në këtë udhëkryq historik, timonin e qeverisjes se këtij vendi ta besojë në duart tona!”, shkruan Nano./tch/