Në NBA, ritmin e dikton Houston Rockets. Tjetër fitore e 12-ta radhazi për skuadrën teksane që falë suksesit 119-114 në transfertën e Colorados ndaj Denver Nuggets ruajti kreun në Konferencën e Perëndimit.

Në Pepsi Center ishte mbrëmja e James Harden. Thjeshtë fantastik mjekërosh i Rockets me Harden që e mbylli sfidën me 41 pikë 7 asist e 8 rebound, ndërsa për t’u përmendur edhe paraqitja e Chris Paul autori i 23 pikëve.

Sfida më e fortë e mbrëmjes u luajt në Quicken Loans Arena, aty ku San Antonio Spurs surprizoi jo pak duke bërë për ujë të ftohtë Lebron James me shokë. Paraqitja e shkëlqyer e mbretit James nuk i mjaftoi Cleveland-it që në shtëpi u mposht me rezultatin 110-94 nga skuadra teksane. Spurs-at u rikthyen te fitorja pas 4 humbjeve radhazi dhe për ta bërë këtë u mbështetën fortë te loja e dyshes Aldrige-Green të cilët të dysëbashku realizuan 49 pikë.

Vijon forma e mirë për Charlotte Hornets që në Spectrum Center mposhti 114-98 Detroit Pistons duke regjistruar fitoren e 4-t rradhazi. Një sukses ky që rrit shanset e skuadrës nga Karolina e Veriut për t’u kualifikuar në play off. Dwight Howard me 17 pikë dhe 12 rebound por edhe Kemba Walker me 17 pikë ishin dy basketbollistët më të mirë për Hornets, ndërkohë që ishin të pamjaftueshme 20 pikët e Griffin për Pistons.

Falë 36 pikëve të Holidays dhe 27 të Anthony Davis një fitore të madhe mori New Orleans Pelicans që triumfoi pas kohës shtesë në transfertën ndaj Milwaukee Bucks me shifrat 123-121.