Ka ndërruar jetë në moshë 69 vjeçare doajeni i gazetarisë strugane, Mehmet Latifi. Gjatë karrierës së tij të pasur gazetareske, Latifi ka punuar si korrespodent nga Struga i disa mediumeve të njohura. Për disa vite me radhë Latifi, që njihej si zëri i Strugës, punoi edhe si korrespodent i Gazetës Lajm.

Latifi ishte i njohur për mikpritjen e tij që ua bënte ekipeve gazetareske të gjitha mediumeve shqiptare dhe ndërkombëtare që vizitonin Strugën. Angazhimi i tij për afirmimin e këtij qyteti shqiptar në Maqedoni ishte i dipërditshëm. Krahas kësaj, Latifi ishte një nga lidhje më të forta dhe më direkte të arbëreshëve të Zarës me trungun shqiptar. Ai vazhdimisht kishte shkruar për komunitetin arbëresh në Zaër të Kroacisë, kurse ishte edhe mik i afërt me albanologun e njohur Aleksandar Stipçeviq.

Mehmet Latifi kishte lindur në Preshevë në vitin 1949, kurse tërë karrierën e tij gazetareske e ngriti dhe e kaloi në Strugë. Vdekja e tij paraqet humbje të madhe për gazetarinë shqiptare në Maqedoni.