Separatistët të cilët janë duke u përpjekur për të ndarë Bosnjë e Hercegovinën (BeH), sipas vijave etnike, mund të rrezikojnë përpjekjet e saj për t’u bashkuar me BE-në, thotë Valentin Inzko.

Përveç kësaj, Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në BeH tha se kjo mund të detyrojë forcat ndërkombëtare që të ndërhyjnë.

“Do të ndërhynim nëse vijat e kuqe do të jenë tejkaluar, nëse (serbët e Bosnjes) njoftojnë një referendum për pavarësi – që do të përfaqësonte një linjë të tillë të kuqe”, tha Inzko.

I pyetur për mundësinë e “ndonjë ndërhyrjeje ushtarake në rast të shkëputjes”, Inzko tha se ai më parë do të angazhohej për zgjidhje paqësore, të tilla si presioni ndërkombëtar.

Diplomatët perëndimorë pretendojnë, megjithatë, se në rastin e shkëputjes së serbëve të Bosnjes, Inzko ka autorizimin për të ftuar trupat e huaja për parandalimin e konfliktit të armatosur, thotë Reuters.

Agjencia tha se së fundit “nacionalistët serbë dhe kroatë kanë intensifikuar thirrjet për të ndarë vendin përgjatë vijave etnike”.

“Nga njëra anë kemi integrimin evropian dhe njëkohësisht shpërbërjen në shtëpi”, tha Inzko.

Ai shtoi se mund të ndodhë që edhe procesi i afrimit më Brukselin në BeH mund të ngadalësohet, sepse shpërbërja mund të jetë më e fortë se integrimi.

Agjencia kujton se në Bosnjë e Hercegovinë, si pjesë e EUFOR, janë rreth 200 ushtarë.

Bashkimi Evropian ka miratuar tre muaj më parë kërkesën për anëtarësim të BeH për t’u bashkuar me BE-në, ndërsa javën e kaluar ka ndërmarrë hapin e parë, në atë që duket të jetë i sigurt, procesit të gjatë të aderimit, përkujton Reuters.