Në moshën 92 vjeçare, ndërroi jetë ish komandnti i Aviacionit të Shqipërisë, gjeneral Edip Ohri, i lindur në Strugë në dekadën e parë të muajit janar të vitit 1926, ndërsa gati tërë jetën deri në vdekje e kaloi në Tiranë.

Është pjestar-fëmijë i familjes fisnike strugane Emirzade- Ohri, e pastaj fëmijë i  birësuar i Qazim bej Qemal Vlorës, djalit të Ismail Qemal bej Vlorës. Shkollimin fillor e ka fillua në Strugë, ndërsa më pastaj ate e ka vazhduar në Shqipëri, duke qënë edhe normalist i Normales së famshme të Elbasanit, për të vazhduar studimet në shumë Akademi ushtake të aviacionit.

90 vjet jetë, 90 vjet histori për Edip Ohrin, sepse nga Normalja e Elbasanit,  është pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacional Çlirimtare bashkë me të vëllaun Dashamirin dhe motrat Edibenë dhe Hyrmeten. Pas luftës, pas çlirimit të Shqipërisë, Edip Ohri i kushtohet profesionit të ushtarakut, aviacionit, duke u bërë edhe komandant i Forcave Ajrore të Ushtrisë Shqiptare, për tu shëndërruar në “Legjendën e aviacionit shqiptar”,  kolos prej ushtaraku, intelektual, patrioti dhe figure madhore shqiptare.

Pa dyshim se një nga kolosët që ka dhënë Struga, ose fushëgropa e Strugës e Ohrit, krahas emrave të shquar si Hamdi bej Ohri, Zyhdi Ohri, Dr. Myrteza Ali Struga, Dervish Hima, Mustafa Baroti, Nuri Sojliu, Dr.Ibrahim Temo, kësaj liste i duhet shtuar edhe emri i Edip Ohrit, për meritat e tij që ka për Shqipërinë, për shqiptarinë në përgjithësi e bashkë me këtë natyrisht edhe për Strugën.

Ai, me personalitetin e tij, me karakterin, punën, sjelljen, përkushtimin, qëndrimin, vlerësimin e drejtë, vuajtjet, përjetimet gjatë jetës dhe karierës së tij, kurrë nuk ka bërë asnjë veprim që do ta relativizonte Shqipërinë, shqiptarinë dhe Strugën, por gjithmonë ka qënë ballëlartë dhe krenar për Strugën.

Ushtaraku i karierës, Edip Ohri, shumë heret mbetet pa babanë, Inajet Murat Emirzade – që më  pas do të ndryshojë mbiemrin në Ohri- bashkë me dy motrat e tija, Edibenë dhe Hyrmeten dhe vëllaun Dashamirin, në vitet kur babai i tij, Inajet bej Ohri, ishte emëruar kryetar i komunës Shën-Vlash  të Durrësit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore- LNÇ-së,  Edip Ohri pa hezitim iu bashkangjit formacioneve luftarake të LNÇ-së, duke dëshmuar shpirtin e tij liridashës dhe antiokupatorial ndaj tokave shqiptare. Këtë veti, këtë karakteristikë nuk e posedonte vetëm Edipi, por edhe fëmijtë tjerë të Inajet Ohrit, Edibeja, Hyrmetja dhe Dashamiri, që vërteton brumosjen e tyre për ta dashur Atdheun dhe popullin e tyre të lirë.

Edip Ohri, me jetën, punën, veprimtarinë, përkushtimin, profesionalizmin, patriotizmin, nacionalizmin, vuajtjet, përjetimet e shumëllojshme, nuk e nderoi vetëm emrin dhe veten e tij, por nderoi dhe madhëroi e nderoi emrin e familjes Ohri, madhëroi e nderoi emrin e familjes së Ismail Qemal bej Vlora, madhëroi e nderoi  Strugën dhe popullin strugan, madhëroi  dhe nderoi Shqipërinë, madhëroi dhe nderoi shqiptarinë.

Edip Ohri mbetet një ndër emrat e përveçëm të figurave madhore shqiptare, mbetet kolos në kujtesën e pashlyeshme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nga ajo që ishte  fëmijë i familjes fisnike Emirzade- Ohri, e pastaj fëmijë i  birësuar i Qazim bej Qemalit, djalit të Ismail Qemal bej Vlorës,  nuk ka përfituar asgjë, posikur që nuk kanë përfituar as familjarët e tjerë të Ismail Qemal bej Vlorës. Shumëkush në Tiranë, as nga më të afërmit, nuk kanë ditur deri para sa kohe, se është  fëmijë të birësuar i Qazim bej Qemal Vlorës mbase nga modestia. Mirëpo, rëndësi ka ate që vazhdimisht e ka  thënë: se Qazim beu, i  ka brumosur dhe i ka edukuar që ta duan  popullin shqiptar dhe Shqipërinë. Këtë amanet Edip Ohri ia ka çuar në vend plotësisht.

Kur është fjala për vendlindjen e tij, për Strugën, Edip Ohri, ky kolos, sa herë që ka folur për  për jetën, veprën, arritjet dhe natyrisht edhe për vuajtjet e tija vazhdimisht përsëritë se ndjehet  krenar për Strugën dhe popullin e Strugës vazhdimisht shpreheshte: “Kurrë gjatë jetës punës dhe  karierës time e tonën, nuk kamë bërë dhe nuk kemi kemi bërë asnjë veprim që do ta relativizonte dhe do ta turpëronte  Strugën, por gjithmonë kam qënë dhe kemi qënë ballëlartë dhe krenar për Strugën. Më kanë akuzuar pse kam lindur dhe pse kemi lindur në Strugë, por vazhdimisht kam qënë dhe kemi qënë  krenar për Strugën. Jam dhe jemi të lindur në Strugë, dhe Struga është vendlindja jonë, me të cilën gjithmonë pra jemi krenuar. Gjithmonë e kemi nderuar e lartësuar Strugën. Kemi qënë dhe jemi krenar. Kurrë, as në momentet më të vështira kur më kanë akuzuar pse kam lindur në Strugë, nuk e kam turpëruar Strugën por e kam madhëruar e lartësuar” –është shprehur tashmë  i ndjeri gjeneral Edip Ohri, gjatë shënimit të  90 vjetorit të lindjes së tij.

Edhe diçka nga jetëshkrimi i tij: Gjeneral Edip Ohri dënohet me 14 vjet burg !

Është dënuar me 14 vjet burgim, prej të cilave 10 vjet i ka vuajtur në kazamatet enveriane si edhe shumë të tjerë. Ka përjetuar poshtrimin më ç’njerzor të familjes së tij, duke konsideruar edhe sot e kësaj dite se nuk ka bërë asnjë faj dhe asnjë dëm ndaj shtetit dhe shqiptarëve. Madhështia e këtij kolosi qëndron në ate se kurrë nuk e ka parapëlqyer dhe kurrë nuk e ka kultivuar e ushqyer urrejtjen dhe hakmarrjen. Të keqes gjithnjë ka dashur ti përgjigjet me mirësi, urrejtjes ti përgjigjet me dashuri, hakmarrjes me falje, duke u udhëhequr nga motivet se të drejtën për hakmarrje e ka vetëm i Madhi Zot.

Lidhur me këtë Edip Ohri thot: “Shkas për arrestimin, akuzat, dënimin dhe burgosjen e general Edip Ohrit, mbase mund të konsiderohet pastrimi i ushtarakëve dhe intelektualëve të tjerë që bëri Enver Hoxha, pas eliminimit të Beqir Ballukut. Lidhur me këtë, general Edip Ohri sqaron:” Goditja ndaj meje filloi që në vitin 1975. Ndërsa arrestimi im ndodhi më 16 tetor të vitit 1980 dhe bashkë me mua u arrestuan edhe një grup ku bënin pjesë: Shyqëri Këllezi, pensionist, ish-anëtar i Komitetit Qëndror, Ali Kubati, Drejtor i Tregtisë për Tiranën (ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës) vëllai i tij, Ibrahim Kubati, inxhinjer pyjesh, Dhimitër (Lola) Mano, zv/kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve të Shqipërisë dhe Sabri Pilkati, ish-Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Ne nuk kishim asnjë lloj lidhje pune apo veprimtarie me njëri tjetrin. E vetmja lidhje ishte se unë kisha për grua motrën e Ali Kubatit, ndërsa Lola Mano, kishte për grua motërn e Lym Ketës, shokut tonë. Në atë kohë Sabri Pilkati ishte i internuar familjarisht në Buz të Tepelenës

Ndër akuzat që na bëheshin ne si grup armiqësor, ishte ajo se gjoja që kishim dashur të përmbysnim me dhunë pushtetin popullor dhe agjitacion e propagandë. Arrestimi ynë në atë kohë bëri bujë të madhe në Tiranë dhe shumë kuadro i kapi paniku duke pritur se kush e kishte rradhën për t’u arrestuar. Akuza e parë ishte ajo që thashë më lart, se përse nuk kisha informuar rreth bisedës që kishim bërë me Çu En Lain në vitin 1971, duke më quajtur pjestar të grupit të Beqir Ballukut që kisha pasur si detyrë që të bombardoja Bllokun e udhëheqjes në Tiranë e absurditete të tjera të kësaj natyre. Po kështu më akuzonin edhe për agjitacion e propagandë. Por me që akuza e parë që na bëhej për terrorizëm e përmbysje me dhunë të pushtetit popullor, ra, ne na ndanë në dy grupe. Në njërin bëja pjesë unë me Shyqëriun e Ali Kubatin, kurse në tjetrin, Lola Mano, Sabri Pilkati dhe Ibrahim Kubati. Çuditërisht gjatë hetu-esisë, më saktë aty nga janari i vitit 1981, mua më pyesnin për Mehmet Shehun, i cili ishte ende në funksionin e kryeministrit të Shqipërisë. Kjo gjë ishte krejt e pazakontë, pasi atëhere hetuesia kishte një ligj të pashkruar, që në mënyrë kategorike nuk mund të pyeste për tre figurat kryesore të shtetit: Enverin, Mehmetin dhe Hysni Kapon. Por në rastin tim kjo gjë u shkel dhe ata donin të dinin mendimin tim për shumë gjëra në lidhje me Mehmetin, për tezat e Këshillit të Mbrojtjes që kishte hartuar ai që në vitin 1969-70.

Me ndryshimet që u përfshi edhe Shqipëria në vitet ’90ta, pas rënjes së “Murit të Berlinit” dhe “Pranverës së demokracisë” në Shqipëri, pas 11 vjet vuajtjeje nëpër burgjet famëkeqe të Shqipërisë, lirohet edhe gjeneral Edip Ohri, lirim që u shoqërua me shumë momente emocionuese, që e shoqëruan deri ne vdekje.

Edip Ohri ka bërë mbi 4.000 orë fluturimi

Gjatë karierës së tij ushtarake, si pilot i Aviacionit të Shqipërisë, ka fluturua me avionët e parë P-2, P-9, Jak-16, helikopterët Mi-1, Mi-4, Ill-14, Ill-28 në Mig-ët 15,17,19,21.  Aviacioni shqiptar,  deri në vitet 1980 mund të konsiderohej i barabartë me fqinjët në teknike e eksploatim, sepse ai kishte një uzinë moderne, punonte me karburantin e prodhuar në vend, kishte një shkollë aviacioni bashkëkohore, infrastrukturë e aerodrome të standardeve të larta, vendkomandë qëndrore moderne e mbështetur me mjete navigimi e drejtimi modern, (deri radarë PLL-35 për drejtimin e Aviacionit Luftarak), helikopterë, aeroplanë të transportit AN-2, Ill-14, si për fluturimet në kondita të thjeshta meteorologjike, të vështira, natën, por edhe të raketave moderne tokë-ajër SAM-2 dhe artilerisë së shumtë kundërajrore. Me merita të veçanta drejtuese, profesionalizëm të lartë, vizion e perspektivë, Edip Ohri luajti rolin vendimtar si strateg i aviacionit në krijimin e zhvillimin e kësaj arme, që nga krijimi i Repartit të Parë të Aviacionit në Laprakë e më pas regjimentet luftarake të Rinasit, Kuçovës, Farkës, Shkollës së Aviacionit, Uzinës së Aviacionit e deri Regjimenti i Gjadrit, duke pajisur Shqipërinë me 200 aeroplan.

Varrimi i të ndjerit, gjeneral Edip Ohrit, do të behët ditën e mërkurë, më 22 shkurt, në ora 14.00, pas homazheve qe do ti bëhen në Ministrinë e Mbrojtjes-ish Shkolla e Bashkuar.