Kush kërkon të ndërhyjë për të trazuar sigurinë në Ballkan, do të marrë përgjigjen që meriton. Kështu u përgjigj ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli pyetjes në lidhke me trysninë që Rusia kërkon të vendosë në Ballkan.
“Çdokush që kërkon të ndërhyjë dhe të trazojë situatat e sigurisë apo situatat e ekuilibruara tashmë në Ballkan, dhe kur them tashmë kam parasysh Ballkanin e 20 viteve më përpara që ishte shumë i trazuar, unë besoj që do të marrë përgjigjen që meriton. Ballkani vazhdon të mbetet një qoshe e Europës shumë e rëndësishme, këtë e tregon edhe fakti që misioni më jetëgjatë i NATO-s është pikërisht në Ballkan, ai i KFOR. i cili do të vazhdojë të ketë dhe të mbajë detyra dhe përgjegjësi të mirëpërcaktuara me qëllim mbajtjen e stabilitetit në këtë rajon. Ky mision nuk mjafton. Puna jonë e përbashkët i bashkangjitet këtij misioni dhe e bën rajonin përtej gjithë problematikës dhe politikës së brendëshme që konsumon, një rajon të sigurt, jo vetëm përballë sulmeve që vijnë nga Lindja, por sigurisht edhe përballë sulmeve që vijnë edhe nga Jugu. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë sepse rruga jonë Euro-Atlantike e vendeve që aderojnë ose janë pjesë e strukturave Euro-Atlantike, është një rrugë pa kthim”, tha Kodheli gjatë një konference që mbajti në Tiranë me homologun e saj malazez, Predrag Boskoviç.

Nderkohe ministri Boshkoviç tha se  është e pakundërshtueshme fakti që forca të sigurisë ruse janë përpjekur që të ndërhyjnë në mënyrë të dhunshme në zgjedhje dhe me këtë çështje merren sistemet institucionale malazeze.

“Prokurori i çështjes jam shumë i bindur që shumë shpejt do të çojë çështjen për gjykim. Është fakt i pakundërshtueshëm që ne e vuajmë në kurrizin tonë këtë koncept të ri të vllazërisë hibride dhe shpesh në opinionin publik ka dizinformime me qëllim që të krijohet konfuzion në publik dhe hetimet të marrin drejtim krej tjetër. Por ne jemi të gatshëm dhe do të përpiqemi dhe do të punojmë për ta zgjidhur këtë çështje. Ajo që na shqetëson ne është me të vërtetë rajoni, që gjithmonë ka qënë një problem dhe ka patur probleme destabiliteti gjatë gjithë historisë që njohim. Pikërisht kjo vizitë sot i foksusohet faktit se si duhet të punojë rajoni. Dhe pikërisht persona siç janë autoritetet e caktuara, siç është zonja Kodheli edhe unë të cilët jemi përgjegjës, të jemi përgjegjës për këtë çështje dhe ne duhet të përcjellim mesazhe se si duhet të punojmë bashkarisht për të ruajtur stabilitetin, paqen në rajon. Dhe në këtë rajon nuk jetojnë rusët, jetojmë ne dhe ne jemi më shumë të interesuar për të mos krijuar konflikte në rajon. Por sot edhe ne konfirmojmë faktin që jemi të interesuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu për të patur edhe një progres ekonomik në rajon nëpërmjet dy shteteve tona. Jam i bindur se të gjitha këto do të kryhen, dhe ne gjithmonë jemi të gatshëm”, tha ai.