Me të ardhur në postin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi ka ndërmarrë një sërë masash për të nismuar ndryshime në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale, me anë të të cilave kriminalizohet fyerja dhe shpifja ndaj udhëheqësve të shtetit, njofton Insajder.

Në bazë të këtyre ndryshimeve, dënimet për shpifje ndaj tij dhe udhëheqësve të institucioneve arrijnë deri në 5 vite heqje lirie.

Shpifja dhe fyerja që prej tri vjetësh nuk janë vepra penale, por sanksionohen vetëm me Ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes, tashmë janë kriminalizuar.

Nëse miratohet Kodi i ri me këto ndryshime, vetë Thaçi do të jetë një prej zyrtarëve më të mbrojtur nga fyerjet dhe shpifjet. Kushdo që do të guxojë të shpifë apo ta fyej atë, e pret burgu. Dënimet për këto dy vepra janë nga tre muaj deri në pesë vjet burgim.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve parashihen edhe sanksione për shpifje ndaj shtetit dhe simboleve shtetërore.

Dënime me burgim i presin edhe ata që guxojnë publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara të fyejnë apo me keqdashje shprehin përbuzje ndaj Republikës së Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetuese duke fyer ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës së Kosovës dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë.

“Kushdo që me qellim mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, dënohet me dënim me burgim deri në pesë (5) vite”, thuhet në pikën tre të nenit.