Mbi 60 milionë njerëz në botë janë refugjatë, azilkërkues ose të zhvendosur brendapërbrenda vendeve të tyre.
Ndërkaq, në shënimin e Ditës Botërore të Refugjatëve, synohet të kthehet vëmendja te miliona familje që detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të konflikteve apo keqtrajtimeve të ndryshme, raporton KTV.

Në Kosovë, kjo ditë është shënuar me një ekspozitë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, duke kujtuar eksodin dhe kthimin e shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.

Gazmend Bajra, i cili gjatë kohës së luftës ishte në Maqedoni, thotë se është shumë e vështirë të harrohet çka ndodhi në vitin 1999.

Kosovarët përjetuan një eksod edhe pas luftës, kur dy vjet më parë me autobusë ia mësynë Hungarisë, në përpjekje për të arritur në shtetet perëndimore.