Gjithsejt 16 ankimime kanë arritur në Komisionin shtetëror zgjedhor deri mbrëmë në mesnatë kur skadoi afati për parashtrim të ankimimeve nga partitë politike të cilat morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas informatave të KSHZ-së, nga numri i përgjithshëm i ankimimeve, tetë janë të Koalicionit të kryesuar nga LSDM, ndërsa tetë janë të Lëvizjes Besa.

Një pjesë e ankimimeve kanë të bëjnë me vendvotimet, ndërsa disa nga ankimimet e LSDM-së kanë të bojnë edhe me rezultatet zgjedhore.

KSHZ është e detyruar të vendosë rreth ankimimeve në afat prej 48 orëve pas pranimit të tyre. Kundër vendimit të KSHZ-së, mund të parashtrohet padi në Gjykatën administrative, në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata adminsitrative e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq, pas padisë është e detyruar të sjellë vendim në afat prej 48 orëve pas pranimit të saj.

KSHZ mundet sipas detyrës zyrtare apo pas ankimimit të parashtruar, me vendim ta shfuqizojë votimin e vendvotimit në raste të caktuara të konstatuara me Kodin zgjedhor.

Kundër vendimit me të cilin shfuqizohet votimi mund të parashtrohet ankimim në Gjykatën themelore të Republikës së Maqedonisë në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata administrative e Republikës së Maqedonisë është e detyruar rreth ankimimit të veprojë në afat prej 72 orëve pas pranimit të tij. Votimi i sërishëm në vendvotimin ku është shfuqizuar, mbahet 14 ditë nga dita e votimit të parë.

Sipas rezultateve të para nga zgjehdjet që i kumtoi KSHZ, VMRO-DPMNE fitoi 51 mandate, LSDM 49, BDI 10, Lëvizja BESA 5, Aleanca për shqiptarët tre ndërsa PDSH 2.

Rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet KSHZ duhet t’i kumtojë më së voni deri më 20 dhjetor, pasi që të kalojnë afatet për ankimime dhe marrjes së vendimit rreth tyre.