Nga Bardhyl Berberi

Bardhyl Berberi

Manastiri ka veshur petkun e festës .Plot  110 vjet më parë këtu lindi alfabeti ynë …22 Nëntor 1908 … Qëndroj përpara kësaj ndërtese historike në oborrin e gurtë të saj   dhe pyes veten në heshtje .Vërtet këtu lindi Alfabeti ynë  !…Atë  nëntor të vitit 1908 kur delegatët nga tërë trevat shqiptare kaluan këtë prag frynte erë dhe binte borë .Dëbora i kishte veshur kësulën e bardhë Pelisterit piktoresk duke i dhënë një hijeshi të veçantë atë ditë Manastirit   .Manastiri dhe tërë trevat shqiptare e ndjenë se kishte filluar një kohë e re koha e të mësuarit të gjuhës mëmë me shkronjat e saj që shqiptarët e kishin ruajtur në shekuj si gjuhë që flitej por nuk shkruhej .Të moshuarit iu kanë transmetuar më të rinjve brez pas brezi ato ditë të jashtëzakonshme që iu hodhën kulm ëndrrave të shqiptarëve për gjuhën e tyre. Që  në orët e para të mëngjesit para kësaj ndërtese historike ishin grumbulluar mijëra shqiptarë që të ftohtin e madh e përballonin mes këngëve dhe valleve kombëtare .Kostumet shumëngjyrëshe nga të gjitha trevat shqiptare dhe hareja të jepnin idenë se aty para asaj ndërtese zhvillohej një dasmë e madhe. Para ndërtesës historike  në të dyja anët e lumit Draguar përveç qytetarëve nga Manastiri ishin rreth 100 nxënës shqiptarë të cilët mësonin në shkollat e mesme të Manastirit .Në këto gjimnaze kishte edhe 4-5 profesorë shqiptarë mes  tyre edhe Bajo Topulli zvdrejtor i njërit nga gjimnazet turke të Manastirit .Kënga dhe vallja pushoj duke u kthyer në ovacione të zjarrta kur filluan të vijnë delegatët pranë ndërtesës.

Poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci atëherë nxënës në vitin e parë të kolegjit rumun në Manastir në një skicë të tijën ka mundësi të jetë krijimi i tij i parë e përshkruan kështu këtë moment:

-Ishte një i ftohtë i madh me dëborë dhe ne prisnim në të dyja anët e lumit Draguar që nanuriste me qetësi perëndie. Pas pak çastesh filluan  të vijnë delegatët .Vijnë me radhë llandonët me nga katër  kuaj secili të  zbukuruar me flamuj kombëtarë dhe kuajve iu kishin lidhur fjongo kuqezi nëpër këmbë. Sipër mbi një karrocë fluturonte një korb. Ndalon karroca dhe prej saj del Çerçiz Topulli. Më pas ai mori në shenjë korbin duke sharë ashtu siç shajnë burrat kur korbi ra para këmbëve të Mihal Gramenos.

-Të lumtë Çerçiz , – i thotë Mihali, Kongresi i ABC së do të na vejë mbarë, kujton atë moment Lasgush Poradeci në skicën e tij që publikohet këtu për herë të parë!

Në sallën e Kongresit, rruga drejt bashkimit. Në sallën e madhe u futën delegatët pjesmarrës të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë si dhe nga komuniteti shqiptar në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Amerikë, etj.

Në kongres morën pjesë pjesëmarrës të gjitha feve: Myslimanë, katolikë, ortodoksë njerëz të ditur që erdhën në këtë Kongres për një qëllim të madh kombëtar. Shfletojmë dokumentacionin e Kongresit fletë të zverdhura nga koha por që shndritin nga idetë .Aty ndodhet kumtes e Gjergj Fishtës që njihej si Homeri shqiptar. Fjalë zemre që prek zemrat e gjithë delegatëve.

-Vëllezër nuk kam ardhur këtu që të mbroj asnjë alfabet, por të gjithë sëbashku të krijojmë një alfabet të përbashkët, jemi këtu, jo për t`u përçarë, por për t`u bashkuar. Kleriku mysliman Ibrahim efendiu është ngritur nga salla dhe ka shkuar tek foltoria ku fliste Gjergj Fishta dhe e ka përqafuar me lot në sy.

Shfletojmë kronologjinë e zhvillimit të Kongresit. Kërkesa e delegatëve ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej më as me alfabetin grek, as me atë arab, por vetëm me alfabetin latin me 36 shkronjat të cilat përdoren edhe sot. Mjeda tepër i emocionuar e ndez sallën kur ngrihet dhe reciton vargjet e tija të skalitura mjeshtërisht: -Përmbi za që lëshon bilbili/ Gjuha shqipe m`shungullon/ Përmbi erë qi nep zymbyli/ pa do zemrën ma ngushëllon…

ABC ja e Manastirit e 22 Nëntorit 1908 do të mbetet në qiellin e gjuhës dhe kulturës shqiptare si ylli i mëngjesit. Të ngjitet mallëngjimi në grykë kur shikon atë ndërtesë historike dhe atë sallë …të duket sikur trokasin përsëri pas 110 vjetësh hapat e largëta të atyre burrave flokëthinjur dhe të mençur ..Ke mall të ulesh në ato karrige të prekësh poltronin ku ishte ulur Gjergj Fishta. Një vjershë e Gjerasim Qirjazit : -Do të punojmë për mëmëdhenë/ Gjithë jetën sa të rroj/ Do të zgjoj ata që flenë …

Aty janë kujtimet e Mihal Gramenos, i cili këtë moment historik e përshkruan kështu :

-Ah, me sa gëzim e pritëm këtë ditë të Kongresit tonë të ABC, sepse ky kongres nuk ishte thjesht një kongres gjuhëtarësh, por një kongres kombëtar për çështje të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare. Kryetar i KongResit u zgjodh me vota të fshehta Mit`hat Frashëri dhe nënkryetar Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qiriazi. Ditën e tretë të punimeve u krijua komisioni i Alfabetit të gjuhës shqipe dhe kryetar i këtij komisioni u zgjodh poeti Gjergj Fishta me anëtarë të tjerë Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Sotir Pecin, Bajo Topullin etj. Kongresi i Manastirit u nda në katër  grupe dhe tre ditë rresht punuan veçmas. Grupet patën diskutime të gjata dhe të ashpra për të zgjedhur variantin e secilit grup, madje debati zgjati saqë u rrezikua edhe kompromisi. Por ka qenë këmbëngulja e Ndre Mjedës që u arrit kompromisi i madh historik. Në proçesverbalin orgjinal të Kongresit lexojmë : -Të nesërmen, para se të fillonte punimet kongresi, Dom Ndre Mjeda shkoj tek Mih`tat Frashëri dhe i paraqiti dy alfabete. Zoti Frashëri, pas një diskutimi të shkurtër ngeli i kënaqur dhe i tha Mjedës që këto dy variante t`i paraqiteshin komisionit. Sapo komisioni u mblodh dhe Mjeda po paraqiste variantin latin të alfabetit pasi ky variant është më i thjeshtë, më praktik, që mësohej shpejt. Ky alfabet u ndërtua jo mbi bazën e shkronjave arabo -turke apo greke, as me shkronja të përziera, por thjesht alfabet latin, ku çdo shkronjë shprehte një tingull –fonemë. Ndërkohë Luigj Gurakuqi zbulon një dërrasë të zezë që ishte në krye të sallës ku ishte shkruar ABC salla shpërthen në ovacione të gjata. I gjithë komisioni më pasi nënshkruan vendimin me një penë të vendosur mbi flamurin kombëtar, të gjithë zotërinjtë delegatë dhanë besën e tyre, ka thënë Fishta. Njësimi i alfabetit, ka thënë Mit`hat Frashëri, është pema e parë e kongresit, por ka dhe një pemë tjetër të bukur, ky është bashkimi i shqiptarëve…Qoftë ky themeli i një bashkimi të përjetshëm e ka mbyllur fjalën e tij Mit`hat Frashëri

Çfarë ka ngelur sot nga Manastiri i Kongresit?

Qyteti historik i Manastirit pritet ashtu si 110 vjet më parë të presi shumë miq dhe të ftuar për të festuar këtë ngjarje të madhe historike për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Shumë persona kanë sjellë në dhomën muze të kongresit shumë relike. Kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, prof Nebi Dervishi ka sjellë në muze foto të rralla  të 11 anëtarëve të komisionit të Kongresit të Manastirit, të panjohura më përpara një abetare të vitit 1909 që mban firmën e Parashqevi Qirjazit. Një fjalor i Sami Frashërit i botuar në vitin 1901. Por tek shëtit nëpër Manastir, këtë qytet i cili ka mbartur shumë ngjarje historike për shqiptarët, është e vështirë të gjesh gjurmë, pothuajse asgjë. Shtypshkronjës Universale që shtypi abetaret dhe librat shqip nuk i ka ngelur as nam as nishan. Edhe pse familja Qirjazi me pesë anëtarët e saj kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për këtë ngjarje historike ku u ngrit shtypshkronja dhe që mbajti delegatët në hotelin e saj të Gërmenjëve, nuk ka asnjë rrugë emrin e kësaj familje në Manastir. Para pak kohësh shtëpia Qirjazve është nxjerrë në shitje tek një pronar i ri .Qëllimi është më pas ajo të shembet dhe të zëvendësohet me një ndërtesë tjetër. Ndërtesa historike e Kongresit të Manastirit para disa kohësh  ishte në gjendje të mjerueshme dhe gati drejt rrënimit. Një ndërhyrje e para disa kohëve me parë e shpëtoi nga rrënimin. Kati i parë i ndërtesës historike i është shitur për biznes ish-prefektit të parë të Manastirit! Ajo që ka mbetur si gjurmë në Manastir dhe që nuk mund të zhduket, është fusha e Pellagonisë që na kujton të parët tanë të Pellazgëve, Heraklea Linkesits, që të kujton fisin ilir të Linkestëve me mbretin e tyre Bardhyl, emri i lumit Dragor që vjen nga fjala shqip Dragua si dhe emri Manastir që ka të bëje me fjalën shqip i butë.