Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në konferencën për shtyp që organizoi sot, përgëzoi Zoran Zaev për marrjen e mandatit për të formuar Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.

OEMVP është e bindur se nën udhëheqjen vendimtare të qeverisë së re do të zgjidhen sfidat që janë para si dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet institucioneve, si një nxitje shtesë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët, i cili do të kontribuojë për një qasje konstruktive në forcimin e demokracisë në vend, dialogut politik dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Lidhur me ngjarjet politike në vendin tonë, OEMVP si përfaqësuese e komunitetit të biznesit nuk ka qëndruar indiferent dhe vazhdimisht ka reaguar në vendimet e pamatura politike, që cënonin direkt sundimin e ligjit, pa të cilin nuk mund të flasim për funksionim të shtetit e jo më për mundësinë e të bërit biznes.