Ngjarja mund të ishte si një fotografi e nxjerrë nga një prej filmave të regjisorit, Quentin Tarantino: pamja e një burri të ri fotogjenik, i armatosur dhe i rrezikshëm, dhe i veshur me shije, me një kostum të zi dhe këmishë të bardhë. Pamja u përhap me të madhe brenda minutash, derisa ai ishte i rrethuar nga një audiencë me kamera televizive dhe telefona të mençur.

Ai ka bërtitur me zemërim, derisa trupi i viktimës së tij ka qëndruar në tokë. Dora e tij e djathtë ishte e tensionuar nga shtrëngimi i armës. E majta e tij ishte e ngritur lartë në shenjë të “Tawidit” (shenjë e njëshmërisë së Zotit), simboli islamik për deklarimin e Zotit si një të vetëm, i përdorur nga xhihadistët në tërë botën.

Në fakt, ai e ka kuptuar këtë veprim gabimisht. Për këtë shenjë ai do të duhej ta ngriste dorën e tij të djathtë, por ajo sapo ishte përdorur për vrasje dhe ishte e zënë me armën. Ky ishte terrorizëm i llojit modern, me gjasë, jo i kryer nga një luftëtar i shenjtë i indoktrinuar mirë, por nga një burrë i ri, i pashpresë dhe i frustruar.

Mevlut Mert Altintas, polici 22 vjeçar nga Ankaraja, sapo e ka vrarë Andrei Karlovin, ambasadorin e Rusisë në Turqi. Motivet e vrasjes së 19 dhjetorit dukeshin të qarta derisa ai bërtiste slogane fetare dhe politike, duke filluar me një “hadith” arab (fjali të vjetra që thuhet se janë mësime dhe vepra të profetit Muhamed) nga Sahih al Bukhari, që i referohet “Betejës së Hendekut” gjatë të cilës thuhet se Muhamedi dhe një grup i përkrahësve të tij kanë arritur të mundin në mënyrë taktike një ushtri shumë më të madhe.

Vrasësi më pas e shfaqi zemërimin e tij në turqisht.

“Mos e harroni Alepon; mos e harroni Sirinë. Mos e harroni Alepon; mos e harroni Sirinë”, ka thënë ai. “Derisa krahinat tona të mos jenë të sigurta, ju nuk do e shijoni sigurinë”, ka vazhduar ai, duke i thënë turmës në sallë që të mos i afrohen para se ai të përfundonte fjalimin e tij të ashpër: “Vetëm vdekja më largon nga ky vend; dhe kushdo që ka luajtur rol në këtë brutalitet, do të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre”.

Fushata masive e bombardimit nga Rusia në qytetin sirian, Alepo, duke iu mundësuar forcave të regjimit të presidentit, Bashar al Assad, të rimarrin qytetin nga rebelët, ka qenë qartë arsyeja kryesore e vrasjes. Rusia ka vrarë mijëra sirianë në Alepo, Altin tash e ka vrarë një zyrtar rus në shenjë hakmarrjeje, duke e qëlluar atë në shpinë, në tërësi nëntë herë.

Ky ka qenë një vit me ngatërresa, ngjarje të papritshme politike dhe pasiguri gjeopolitike, përfshirë BREXIT-in, zgjedhjet presidenciale amerikane, vazhdimin e krizës globale me refugjatë, masakrën në Siri dhe Jemen dhe më shumë agresion rus në Ukrainë. Frika se bota është në një situatë të ngjajshme me atë të para vitit 1914, ngadalë duke shkuar në drejtim të luftës, është mjaft e përhapur. Atëkohë, më pas, një vrasje u bë shkëndija e ndezjes së Luftës së Parë Botërore. Tani, shumë njerëz pyesin nëse vrasja e ambasadorit rus është një lloj momenti i ngjajshëm me vrasjen e Dukës Ferdinand.

Përgjigja është një “JO” e qartë, së paku jo në mënyrën se si po e marrin disa. Larg nga të qenit arsye e nxitjes së tensioneve në mes të Turqisë dhe Rusisë, vrasja e Karlovit mund në fakt t’i afrojë ato edhe më shumë dhe të ketë pasoja në luftën në vazhdim kundër grupit Shteti Islamik. Për Turqinë, vrasja mund të shihet si dhuratë për presidentin çdo herë e më autokratë, Rexhep Tajip Erdogan, i cili në muajin korrik e ka shtypur një puç të dyshuar kundër pushtetit të tij në Ankara, që sipas qeverisë është orkestruar nga kleriku fetar turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen.

Gylen akuzohet se e udhëheq atë që zyrtarët turq e quajnë Organizata Terroriste Gyleniste (FETO), ndërsa pas përpjekjes për grusht shtet, mijëra zyrtarë nga ushtria, organet e drejtësisë, e bile edhe sistemit arsimor, janë arrestuar apo përjashtuar nga detyra, të akuzuar nga qeveria se janë “gylenistë”.

Tani, pas vrasjes së Karlovit, vepër kjo e dënuar nga Gyleni, Ankaraja nuk ka pritur shumë që të fajësojë përkrahësit e klerikut turk, duke e informuar SHBA-në më 20 dhjetor se beson që ata janë përgjegjës. Erdogani tani ka arsye edhe më shumë që të bëjë spastrimin e “Gylenistëve” nga të gjitha degët e qeverisë dhe aparatit shtetëror. Një diplomat i huaj është vrarë: diçka që ofron një faqe të re për të shënuar mbi të emrat e të gjithë atyre që e kundërshtojnë Erdoganin. Tani ai do të bëhet edhe më i fuqishëm.

Mirëpo, aleanca e tij me Shtetet e Bashkuara mund të bëhet edhe më e dobët, një proces që ka kohë që ka nisur, por që është përkeqësuar nga puçi dështuar.

Turqia është aleate e NATO-s, por SHBA-ja po vepron ngadalë ndaj kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e menjëhershëm të Gylenit që të përballet me drejtësinë në Turqi për rolin e tij të dyshuar në grusht shtetin e dështuar, akuzë që kleriku e hedh poshtë.

Sa i përket Moskës, situata mund të jetë me më shumë avantazh. Vrasja e diplomatit rus në tokën turke është tejmase e sikletshme për Erdoganin, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin tani ka avantazh të theksuar politik ndaj tij. Presidenti turk është me borxh ndaj tij. Të dy kanë përmirësuar marrëdhëniet prej grusht shtetit të korrikut. Në vend që ai proces të ndalojë, ndoshta përmirësimi i marrëdhënieve do e shfrytëzojë momentumin e krijuar pas vrasjes.

Interesant është që raportimet e mediave ruse për vrasjen shpërfaqin një motiv të qartë. Ato i përmbahen akuzës ndaj “Gylensitëve”, por me kujdes e përmendin se ky është qëndrimi turk e jo duke e marrë të mirëqenë akuzën.

Moska po i mban opsionet e hapura. Shumë shpejtë pas vrasjes, Putini doli në televizionin shtetëror rus për të thënë se vrasja “pa dyshim…ka pasur cak dëmtimin e normalizimit” të lidhjeve bilaterale në mes të dy vendeve. Ai gjithashtu ka thënë se vrasja ka pasur cak edhe pengimin e “procesit të paqes në Siri”.