Para një viti, në rrugën ‘Marin Barleti’ në Qendrën Historike në Prizren, humbi jetën tragjikisht 4-vjeçarja Xheneta Gashi, pas shembjes së shtëpisë ku ajo banonte, rikujton KTV.

Një vit më vonë, organet kompetente kanë filluar të ndërhyjnë në objektet që kanë më shumë nevojë në Qendrën Historike të Prizrenit. Sipas drejtuesve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, mbi 400 mijë euro do të shpenzohen për këto ndërhyrje emergjente.

Samir Hoxha ka thënë se ruajtja dhe mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore vazhdon të mbetet prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Jemi duke realizuar aktualisht katër prej ndërhyrjeve në Qendrën Historike të Prizrenit. Bëhet fjalë për disa ndërtesa banimi të cilat kanë pasë nevojë imediate për tu ndërhyrë në konstruksionet e kulmit për të penguar devasimin e këtyre objekteve të banimit në Qendrën Historike të Prizrenit”, tha ai për KTV’në.

Në organizatën ‘Ec Ma Ndryshe’, e kanë përshëndetur këtë nismë, duke shpresuar se nuk po bëhet në kuadër të fushatës zgjedhore.

“10 vitet e fundit Qendra Historike e Prizrenit ka pasur një degradim të theksuar prej 332 shtëpive tradicionale që kanë ekzistu brenda Qendrës Historike sot i kemi vetëm 155 do të thotë 227 shtëpi janë rrënuar gjatë kësaj kohe” tha Edon Mullafetahu, Drejtor Ekzekutiv i ‘Ec më Ndryshe’.

Punime janë duke u kryer në disa objekte banimi si ato në Lagjen Marashi, në Sheshin Shadervan, në Lagjen Panteli, si dhe në Xhaminë e Myderiz Ali Efendisë në Prizren.