Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu duke shpjeguar zhvillimet brenda dikasterit që drejton më 27 prill, thotë se paraprakisht MPB dhe Shtabi operativ kishte hartuar tre plane të mundshme për t’u ballafaquar me vazhdën e protestave. Nuhiu në emisionin “Rruga drejt” tha se planet kanë dështuar për shkak të bindjeve politike brenda strukturave të policisë.
“Njëherë kam marr përgjigje nga Çavkov se masat janë ndërmarrë dhe se gjithçka është nën kontroll edhe jashtë parlamentit. Ai më pas ma ktheu përgjigjen se ky është populli dhe se me popullin nuk mund të kundërvihemi” – deklaroi Agim Nuhiu, ministër i Brendshëm.

Ai shton se në MPB nuk ka funksionuar as sistemi për regjistrimin e komandove edhe atë nga viti 2014.

“Menjëherë kam kërkuar ekspertizë dhe vlerësim se vallë janë të incizuara të gjitha komandat që janë dhënë nga tetra sistemi. Kam thirrur ekspert gjerman dhe ai ka bërë vlerësimin se dy serverë nuk kanë qenë të kyçur në aparatin për incizim dhe se një gjë e tillë nuk funksionon nga vitit 2014” – tha Agim Nuhiu.

Njeriu i parë i policisë Nuhiu konfirmon informacionet se është tentuar të fshihen incizimet nga kamerat e Kuvendit.