Oda e Afarizmit të Kosovës me anë të një komunikate vlerëson se ka ardhur koha që Kosova ta mbrojë tregun e vet dhe të marrë masa reciproke ndaj Maqedonisë dhe të gjitha shteteve tjera fqinjë që krijojnë barriera për bizneset e Kosovës.

“OAK ju ka shkruar të gjitha institucioneve vendore me qëllim që të përdorin çdo mjet ligjor që të realizohet e drejta e bizneseve Kosovare që të dalin me produktet e tyre në tregun maqedonas. OAK do të bëjë publike të gjitha pengesat që po u bëhen prodhuesve nga vendet fqinje dhe neglizhencën që po e ka Qeveria në mbrojtjen e interesit të tyre”, thuhet në komunikatë të Odës së Afarizmit.

 

Sipas Odës, shteti fqinj Maqedonia, ndonëse është anëtare e CEFTA-s ku bën pjesë edhe Kosova, gjithnjë ka aplikuar forma të ndryshme të barrierave jotarifore për të penguar çdo tentim eksporti të mallrave nga Kosova për në Maqedoni.

“Në rastin konkret bëhet fjalë për pengesën që i bënë prodhimeve me prejardhje shtazore duke mos e dërguar inspektoratin ose duke mos i licencuar kompanitë Kosovare të eksportojnë në Maqedoni derisa në anën e kundërt ka me dhjetëra kompani maqedonase të licencuara për eksport të po këtyre prodhimeve për në Kosovë”, thuhet në komunikatë.