Diskutime me Merkelin për sanksionet ndaj Rusisë dhe të ardhmen e BE-së

Presidenti amerikan Barak Obama mbërriti në Berlin në atë që konsiderohet si vizita e tij e fundit e rëndësishme si president i Shteteve të Bashkaura. Në fokusin e takimit me kancelaren gjermane janë politikat amerikane pas fitores së Donald Trampit, veçanërisht sanksionet ndaj Rusisë dhe e ardhmja e Bashkimit Europian.

Siç e nisi edhe po e mbyll presidencën e tij 8-vjeçare Barak Obama … me një vizitë në Berlin.
Në kryeqytetin gjerman mbërriti nga Athina mbrëmjen e të mërkurës dhe u akomodua në hotelin e famshëm Adlon, në zemër të Berlinit, ngjitur me ambasadën amerikane.
Axhendën e tij në Berlin e nis me një intervistë për televizionin publik gjerman ARD.
Më me rëndësi është takimi i pasdites me kancelaren Merkel, me të cilën del edhe në një konferencë për shtyp. Kryetemë janë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë për çështjen e Ukrainës, të cilat Obama do të donte të vazhdonin, sikurse edhe kancelarja Merkel. Por vazhdimsia e tyre është me pikëpyetje, pasi president i Shteteve të Bashkuara, pas Janarit do të jetë Donald Tramp, i cili ka premtuar marrëdhënie të mira me Moskën dhe ka shprehur simpati për presidentin rus Vladimir Putin. Tramp gjithashtu ka paralajmëruar ndërprerjen e negociatave SHBA – BE për tregëtinë e lirë, një marrëveshje me nismëtarë Obamën e Merkelin. Edhe kjo pjesë e axhendës së diskutimeve, sikurse kriza siriane.
Tjetër pikë e rëndësishme e axhendës së Obamës në Berlin është edhe takimi i nivelit të lartë me liderët europiane, ku veç Merkelit, të pranishëm janë edhe presidenti francez Fransua Olond, kryeministrat e Italisë e Spanjës Mateo Renci e Mariano Rahoi dhe ajo e Britanisë së Madhe Tereza Mei. Do të diskutohet për krizën ekonomike globale por edhe të ardhmen e unionit pas daljes së Britanisë së Madhe.
Masa të rrepta sigurie ka marrë policia në Berlin. Mbi 5 mijë efektivë, ndër ta edhe specialë, të ndihmuar edhe me skafe të policisë që patrullojnë lumin Shpre’ garantojnë mbarëvajtjen e vizitës dy-ditore të Obamës, i cili pas Berlinit do të udhëtojë drejt Perusë, destinacioni final i turit të tij të fundit presidencial.