Për shkak të reshjeve të borës është vendosur ndalesë për lëvizjen e automjeteve të rënda transportuese në aksin rrugor Kërçovë – Ohër përmes qafës malore Presekë dhe në akset rrugore Gostivar – Kërçovë përmes vendkalimit malor Strazhë, si dhe në aksin Mavrovë – Dibër.

Sipas Lidhjes Auto Moto të Maqedonisë, komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet me vështirësi dhe në kushte të dimrit, nëpër rrugë të lagështa, ndërsa në pjesën perëndimore vende-vende me mbetje të borës pas intervenimit të ekipeve të “Rrugëve të Maqedonisë”. LAMM rekomandon vozitje jashtëzakonisht të kujdesshme, shpejtësi të adaptuar të lëvizjes dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Në gryka malore është e mundur dukuria e shembjeve, posaçërisht në drejtimet rrugore: Koçan – Makedonska Kamenicë – Dellçevë, Vinicë – Berovë, Gostivar – Strazhë, Mavrovë – Dibër – Strugë, Demir Kapi – Udovë, Katllanovë – Veles, Krushevë – Demir Hisar dhe Resnjë – Bukovë.

Gjithë institucionet kompetente për pastrimin e borës dhe ndihmë të qytetarëve janë në terren dhe do të qëndrojnë akoma që të largojnë çdo pengesë që paraqiten nga moti i ligë. Organet kompetente në Maqedoni ju bënë thirrje qytetarëve që të mos dalin dhe udhëtojnë pa nevojë, të posedojnë veshje të ngrohtë dhe të konsumojnë pije të ngrohta, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Situata nga institucionet vlerësohet si stabile dhe e mirë, ndërsa gjatë natës presin që temperatura të zbresin deri -13 gradë celcius.