“Po na vrasin”. Këtë fjali e gjen shpesh online, pasi njerëzit shprehin zemërimin e tyre për ushqimet që konsumojmë. Frika se sëmundjet dhe vdekja po nga vjen nga ajo që hamë, po bëhet gjithmonë e më e madhe. Por të zhbësh mite të tilla është shumë e vështirë. BBC raporton për një çështje që ka trazuar edhe shqiptarët: Atë të orizit plastik.
Thashethemet e përhapura së fundmi në Senegal, Gambia dhe Ganë bënë që Autoriteti Ushqimor i Ganës të nisë një hetim.

 

Ata ftuan konsumatorët dhe tregtarët që të ofrojnë kampione të çdo orizi që dyshohet se është plastik.
Në fund fare, ata arritën në përfundimin se asnjë qese me oriz plastik nuk shitet në Ganë.

Thashethemet për orizin plastik nisën nga Kina. Ato kanë qarkulluar që prej vitit 2010.
Konsumatorët pretendojnë se orizi plastik përzihet me orizin real për të mashtruar blerësit.
Pastaj në vitin 2011 u tha se orizi prodhohej nga një përzierje mes patateve dhe rrëshirës industriale.

Thashethemet u përforcuan akoma më shumë kur një zyrtar i shoqatës së restoranteve kineze deklaroi se të hash tre pjata me oriz plastik është njësoj sikur ke ngrënë një qese plastike.

Por në asnjë pikë nuk pati raste të konfirmuara të sasive të mëdha me oriz plastik.
Orizi plastik thuhet se prodhohet për import, por në të gjitha rastet, prodhimi i tij është më i shtrenjtë se orizi real.

Historia arriti kulmin në vitin 2016, kur autoritetet afrikane thanë se kanë konfiskuar 2.5 ton me oriz plastik.

Zyrtarët e doganave thanë fillimisht se orizi ishte plastik, por më pas e përgënjeshtruan lajmin, duke thënë se nuk kanë asnjë provë për këtë.
Testimet provuan se orizi megjithatë përmbante nivel të lartë bakteresh.
Por thashethemet kanë vazhduar, sidomos me disa video që tregojnë kokrrat e orizit duke kërcyer.

Në video pretendohet se ky është oriz plastik.
Alexander Waugh, drejtor i Organizatës së Orizit, me qendër në Britani, thotë se videot mund të jenë autentike, por kjo jo për shkak se orizi është plastik.
Sipas tij, kur orizi gatuhet në mënyrën e duhur, mund të kërcejë.
“Karakteristikat e orizit janë karbohidratet dhe proteinat, dhe ti mund të bësh diçka të tillë me orizin”.

Shkak për vazhdimin e thashethemeve mund të jetë proteksionizmi dhe mosbesimi ndaj importeve, thotë gazetari Alexandre Capron i France24.
Capron ka punuar në mënyrë intensive për të zhbërë mitin e orizit plastik.
Ai thotë se disa njerëz i shpërndajnë qëllimisht videot false, për të inkurajuar konsumatorët që të blejnë oriz të rritur në vend.

Hassan Arouni, editor i BBC-së në Afrikë, thotë se i ka ndjekur të tilla lajme dhe thotë se nuk e di me siguri nëse përhapja e tyre është e qëllimshme.
Por ai shton se autoritetet po bëjnë një punë të mnirë duke adresuar thashethemet.
“Mendoj se është mënyra e duhur për të treguar se këto thashetheme nuk janë të vërteta. Mendoj se kjo u jep garanci njerëzve që këto janë lajme false dhe se në internet po gatuhet diçka e ndyrë”.