“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore është një prej themeleve të demokracisë. Në Shqipërinë e vitit 2017 nuk ka vend për dhunë”.

Kështu shkruan në Twitter misioni i OSCE/ODIHR në vendin tonë duke iu referuar protestës së nesërme të thirrur nga opozita.

Më herët Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga mbështetës të Partisë Demokratike nga e gjithë Shqipëria.

Kreu i PD tha se të shtunën shënohet edhe fitorja e 12 javëve të qëndresës në çadër. Ndërkohë, ish-kryeministri shkruante ditën e sotme se tubimi i nesërm do të numërojë 500 mijë protestues.

Reagimi i sotëm i misionit të OSCE vjen pas deklaratave nga opozita se njerëzve në çadër po u humbet durimi.