Kur Herakli perandori bizantin formuloi krisobullën fatale në vitin 640, në favor të sllavëve, duke i mundësuar sllavëve vendosjen në trojet ilire të Rashës, Degrandit, Istries, Hum, Dukle e deri në Scodra e Dyrrah kjo do t’i kushtonte rëndë perandorisë ilire. Sepse sllavët krejt kundër nga vizigotët apo fise të tjera barbare nuk do të shqiteshin më nga këto vise por do shtrinin rrënjët e tyre tek vendasit.

Kur më 24 dhjetor të vitit 640 do të shpallej Papë Gjoni IV nga Dalmacia ai nuk do e përkrahte Heraklitin dhe mëkatin e madh që po i bënte ai këtyre viseve pikërisht në perëndim të sundimit të tij.

I lindur në një familje intelektuale në vitin 580 ai ishte djali i një skolastiku të kishës me emrin Venatius dhe ai u edukua që në fëmijëri të tij me mësimet e shenjta.

Ilirët i kishin pranuar pa ndonjë qëndresë të madhe sllavët dhe dyndjet e tyre sepse nuk e mendonin se çpo i bënin vetes dhe historisë.

Por i dituri Gjon e nuhati shpejt. Ndaj ai ia kushtoi papatin e vet  luftës kundër sllavizmit.

Dhe pikërisht me këtë mision të madh ai do caktonte Martinin, abatin e vet.

I dha atij shuma të mëdha parash të cilat do shërbenin për lirimin e pengjeve dhe robërve që kishin rënë në duar të sllavëve dhe në fakt thuhet se ai ia doli mbanë për disa syresh. Por pamja që gjeti në Iliri ishte e tmerrshme.  Ai gjeti qytete dhe kisha të rrënuara. Skodra ishte e rrënuar dhe e plaçkitur.

Kësaj situate dramatike Papa Gjoni IV do t’i kundërvihej duke ndërtuar rrjetin kishtar por nuk ia doli të rimëkëmbte kishat e rrënuara. Ndaj duke pritur ditë më të mira ai uredhëroi njerëzit e vet të shpëtonin reliket e shenjtorëve të Dalmacisë.

Papa Gjon IV hyri më pas në historinë botërore si njeriu që çliroi Pontifikatin Romak nga tutela e Bizantit, dhe ky qe një akt sublim për emancipimin e ardhshëm të Evropës së Re që po gatitej të lindte. Ajo e vjetra, nuk po mundej më ta mbronte. Konsiderohet se ky veprim qe hapi i parë i shtegtimit të gjatë për krijimin e një res publica romana.

Marrja e relikeve të Dalmacisë nuk i pëlqenu kishës bizantine ndaj ajo do të grabisë me forcë thesaret e Romës dhe do t’i shpallë luftë asaj.

Papa e shpalli Ilirinë tokë martire dhe vendosi të ngrejë për të një tempull në Romë. Kështu ai ndërtoi një orator të veshur me alabastër dhe dritare me zgara mermeri, ndërsa ballinën e absides e hijeshoi me një mozaik kushtuar ipeshkvit te Salonës, Venanzio-s. Pikërisht në këtë orator, për vullnet të tij u vendosën edhe reliket e shenjtorëve dalmatë.

Për mrekulli a thjesht për tekë të kohës, ky tempull mbijeton ende sot, dhe në njërën prej “fugurave” të tij paraqitet vetë Gjoni IV me një model kishe në dorë – simbol i besimit ilir që pret të rindërtohet. /konica.al/