Ish­-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, nuk sheh asnjë arsye për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare nga ana e Presidentit të Republikës për shkak të mosarrestimit të Klement Balilit.

Duke folur për “Panorama”, Klosi thote se ky këshill nuk ka asnjë tagër vendimmarrës apo urdhërues, por është vetëm këshillues për Presidentin e Republikës.

U bënë muaj që institucionet ligjzbatuese nuk po mundin dot të arrestojnë Klement Balilin të etiketuar si “Eskobari i Ballkani”, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Mosarrestimi i Klement Balilit cenon sigurinë kombëtare në vend?

Mungesa e arrestimit të tij tregon se ai qenka i zoti, ka mundur t’i ikë ndjekjes dhe arrestimit, por kjo nuk ka fare të bëjë me sigurinë kombëtare. Nëse arrestohet, kjo tregon se shteti është i fortë dhe funksionon, nëse nuk arrestohet, do të thotë që ai është më i zgjuar dhe ia ka hedhur deri tani. Këto janë alternativat.

Është një hap përpara institucioneve?

Sigurisht, ai që fshihet është gjithmonë një hap përpara atij që e kërkon. Nuk mund të arrestohet aq kollaj një person sot në ditët tona, kur ai mund të strehohet ku të dojë. Madje ai mund të jetë dhe në qendër të Tiranës, në një apartament. Po të jetë i zoti, sa të bëjë kujdes me lëvizjet dhe me përdorimin e celularëve, mund të qëndrojë i pakapur për një kohë të gjatë.

Ndërsa siguria kombëtare është bërë tashmë një term që po përdoret vend dhe pa vend. Çfarë i cenon sigurisë kombëtare Balili?! Disa gjëra qenkan të vërteta, ai qenka i zoti, paska rrjet njerëzish, paska miq e shokë që e fshehin dhe kaq.

Kërkohet një kohë deri sa ai të gabojë në fshehjen e tij dhe të ekspozohet dhe të kapet. Por mos harrojmë që ka shumë të kërkuar në Itali apo dhe vende të tjera si koka të klaneve mafioze që arrestohen pas 20 vjetësh dhe pse janë në kërkim.

Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar Presidentit të Republikës që të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar edhe shqetësimet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë për mosarrestimin e Balilit. Si e vlerësoni këtë kërkesë?

Këshilli i Sigurisë Kombëtare është një organ konsultativ për Presidentin, domethënë, ai nuk ka asnjë kompetencë. Pra ai mblidhet në mënyrë që Presidenti të dëgjojë konsultimet e pjesëmarrësve në të, me qëllim që të jetë më i kthjellët për çështje të caktuara. Pasi kthjellohet Presidenti, ky këshill s’ka asgjë në dorë.

Këshilli nuk urdhëron për asgjë. Presidenti mund t’i kërkojë ministrit të Brendshëm të marrë masa, tregohuni më të kujdesshëm etj., etj. Ka pasur tjetër peshë dikur Këshilli i Sigurimit kur ishte mbi Kryeministrin dhe mbi Presidentin, që funksiononte para se të miratohej Kushtetuta.

Ai Këshill urdhëronte Presidentin dhe Kryeministrin, ndërsa ky i tanishmi është vetëm konsultativ për Presidentin. Kryetari i Kuvendit kërkon të luajë një rol protagonisti mbi drejtuesit e institucioneve që kanë marrëdhënie të ftohta mes tyre.