Në Shebnik- Jabllanicë ku turistët çmenden pas mrekullive natyrore. Çfarë mban të fshehtë kjo shpellë?

Shpella e Akullit është një tjetër mrekulli që na ka falur natyra, e që në të njëjtën kohë na jep mundësinë e të qenit sa më afër antikes.

Shpella ndodhet në fushën e Latmit, në Parkun Kombëtar “Shebnik- Jabllanicë” të  rrethit Librazhd dhe e ka marrë këtë emër pasi karakterizohet nga freskia e lartë që ka në stinën e verës si rezultat i rezervimit të akujve nga stina e dimrit të cilat fillojnë shkrirjen gjatë muajit maj.

Ajo ka një gjatësi prej 48 m dhe një lartësi 10 m si dhe gjerësi mesatare 9 m linear dhe është krijuar si rezultat i erozionit të tokës.

Siç e përmendëm dhe më lartë, shpella ndodhet në Parkun Kombëtar të Shebnik- Jabllanicë i cili karakterizohet nga një klimë mesdhetare me freskinë në stinën e verës e ardhur kjo nga shkrirja e akujve të rezervuar nga dimri. Temperatura vjetore arrin vlerat 7° C dhe 10° C ndërsa reshjet mesatare vjetore janë midis 1.300 mm dhe 1.800 mm.

Shtrihet në pjesën lindore të rajonit të Librazhdit dhe përfshin malet me të njëjtin emër, të cilët shërbejnë si kufi më shtetin e Maqedonisë (Shebenik-Jabllanica). Parku ka shtrirje më të madhe se 40 km dhe kufizohet në veri nga fshati Steblevë, ndërsa në jug me fshatin Rrajcë, duke mbuluar kështu një sipërfaqe prej 33.929 ha. Malet e Parkut Shebenik – Jabllanicë dominohen nga thepisjet e theksuara me lartësi nga 300 m deri në 2.262 (Maja Rreshpes-Shebenik).

Ky park njihet si një nga Parqet Kombëtare shqiptare më të mëdhenj dhe më mbresëlënës, jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt. Ka një larmishmëri flore dhe faune, ka maja, sheshe alpine, liqene, burime të ftohta, vende për marshime, ekskursione, veprimtari sportive, mundësi për aktivitete shkencore etj.

Zona e parkut ka edhe pasuri kulturore e tradicionale, përveç atyre turistike. Komuniteti organizon aktivitete të ndryshme social-kulturore si festat kryesore: festa “Dorëz”, festë mjaft e madhe, me aktivitete kulturore tradicionale në terren natyror, festa e Shëngjergjit në Stëblevë, e Qarrishtës, e Rrajcës, etj.

Në qoftë se vendosni të kaloni disa ditë pushime në këtë mrekulli natyrore, duhet që me patjetër të vizitoni edhe këto pika të tjera kryesore: fshatin Llangë me shtëpitë karakteristike me mure guri shumëvjeçare, liqenet karstike Shebenik, liqenin e Fushë Studnes, Rrapin e Taksimit, Shkallën e Skënderbeut, Gurrën e Ariut, Kishën e Koshorishtit e ndërtuar kjo brenda një shpelle në shek. II para erës sonë etj.