Rezoluta për Maqedoninë, që raportuesi i Maqedonisë Ivo Vajgëll një javë më parë e dorëzoi në Parlamentin Evropian, sot është një nga temat e eurodeputetëve në Bruksel. Në Rezolutë Vajgëll thekson shqetësimin për sulmet kundër Prokurorisë Publike Speciale, shpreh keqardhje për ngecjet e reformave në gjyqësor, por shënon edhe progresin e caktuar në reformimin e administratës publike, si dhe përshëndet respektimin e lirive themelore në zgjedhjet e vitit 2016.

Përveç kësaj, Rezoluta kërkon vullnet politik të partive për të kapërcyer atmosferën e ndarjes dhe rivendosjen e dialogut, sidomos përmes parlamentit, si një element i rëndësishëm i zhvillimit demokratik. Vajgëll në dokument thekson se duhet të forcohen funksionet e mbikëqyrjes dhe të ketë funksionim të papenguar të komisioneve parlamentare për bisedat e përgjuara dhe të kundër-zbulimit.