352 mijë euro është buxheti që do t’i rritet arkës së shtetit nga dënimet që PZAP-ja ua ka shqiptuar subjekteve politike që prej shpalljes së zgjedhjeve.

Kësaj rritje të buxhetit do t’i kontribuojnë edhe dy partitë që deri tash ishin në pushtet PDK e LDK.

Mul Desku, kryeshef i Sekretariatit në PZAP ka treguar se deri tash për t’i paguar këto borxhe është interesuar vetëm koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe partia “Fjala”, por jo edhe të tjerat.

Ai ka përsëritur se të gjithë ata që nuk i shlyejnë këto borxhe nuk do të mund të certifikohen për zgjedhjet lokale.

Që prej shpalljes së zgjedhjeve në PZAP kanë shkuar 354 ankesa e apele, nga to janë miratuar 141 derisa janë refuzuar 124 ankesa dhe apele.

Me numrin e ankesave të deponuara në PZAP prin Instituti Demokratik i Kosovës me 71 ankesa, pastaj Lëvizja Vetëvendosje, Demokracia Plus, LDK-AKR-Alternativa, PDK-AAK-Nisma e të tjera.

Kryesisht ankesat kanë qenë për blerje të votës, fotografim të votës, kërcënim, përdorim të gjuhës nxitëse, asistim për të votuar, bartje të personave për të votuar, votim të dyfishtë, thyerje të heshtjes zgjedhore e të tjera.