Në mesin e debateve në distancë mes PS, LSI dhe PDIU lidhur me koalicionin e ardhshëm, deputetja Mesila Doda, në një dalje për mediat bëri publike kërkesën depozituar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, për ngritjen e një komisioni të posaçëm në lidhje me tragjedinë çame.

Komision, i cili sipas saj, ka për qëllim hartimin e një dosjeje të plotë të të gjithë asaj çfarë ndodhi përpara dhe pas dëbimit të çamëve nga Greqia dhe rolin e Shqipërisë në atë kohë.

“Kërkojmë që të kemi të pranishëm të gjithë ekspertët e së drejtës ndërkombëtare dhe historianë, që të kërkojnë në të gjitha arkivat e vendeve fqinje dhe ato të Shqipërisë për të pasur një material sa më të bollshëm dhe për të dalë me vendime, në mënyrë që të gjitha qeveritë që do të vijnë ta ndjekin dhe ta çojnë në të gjitha instancat, ashtu siç duhet të bëjë çdo qeveri e prekur ndaj një akti të tillë gjenocidial”, ka deklaruar Doda.

E pyetur nga Top Channel lidhur me deklaratën e ministrit Manjani mbi pakënaqësinë për përfshirjen e PDIU-së në koalicion, ajo u përgjigj: “Unë nuk dua të ngatërroj këtë çështje që është kaq e rëndësishme me deklarata që hidhen kuturu, apo që i kam parë të hidhen edhe në mes të Athinës nga kongresi i Syrizës”.