Në pjesën më të madhe të njerëzimit dhe në periudhat më të gjata të historisë, Perandoria ka qenë forma tipike e qeverisjes. Perandoritë nuk janë të interesuara të veprojnë brenda një sistemi ndërkombëtar. Ato aspirojnë që vetë të jenë sistemi ndërkombëtar. “Urë” apo “udhëkryq” midis Europës dhe Azisë, “fuçi baruti” apo “fushë dyluftimi”, të gjitha këto janë të vërteta, e nuk e shterojnë larminë e hatashme të viseve dhe të njerëzve të gadishullit Ballkan, ku janë përjetuar makthet e pushtimit nga pesë perandoritë: presiane, romake, bizantine, otomane, dhe ruse.

Gadishulli i përzierjeve kulinare etnike dhe i besimeve fetare, një mozaik popujsh që i janë kundërvënë njëri-tjetrit gjatë shekujve, një grup shtetesh ku pakicat irredentiste, u shfrytëzuan dhe u mbështetën nga Fuqitë Europiane dhe shkaktuan Luftën e Parë Botërore, për t’u ndezur më ashpër gjatë Luftës së Dytë.

Një përfaqësi nga tri bashkësi kulturore, tri qytetërime të gjalla e të stërmëdha, tri mënyra themelore të menduari dhe të besuari. Universi i parë është ai i Perëndimit, ndryshe Krishterimi, fjalë e vjetër tepër e mbarsur me domethënie. Universi i dytë është Islami, edhe ky një tjetër gjigand. Dy, këto universe “armiq plotësues”. Por çfarë armiqsh, çfarë rivalësh! Atë që bën njëri, e bën edhe tjetri. Krishterimi shpiku dhe përjetoi kryqëzatat, Islami shpiku dhe përjetoi xhihadin, luftën e shenjtë. Universi i tretë, i cili nuk e zbulon kokën menjëherë është ai ortodoks, poli rrezatues i të cilit është Moska.

Të interesuara të veprojnë brenda një sistemi ndërkombëtar, shtetet e Ballkanit në të shkuarën ashtu sikurse edhe sot, i kanë përshtatur dhe i zhvillojnë interesat e tyre kombëtare në përputhshmëri të fokusit të fuqive që aspirojnë të jenë vetë sistemi ndërkombëtar.

Diplomatët anglezë në vitin 1880 theksonin se, katër vilajetet shqiptare i vlerësonin si bërthamën e shtetit të ardhshëm shqiptar. Në korrespondencën diplomatike të Foreing Office me Ambasadën e saj në Stamboll, gjatë viteve të krizës Lindore, është artikuluar së pari termi “Shqipëria e Madhe”.

Sipas diplomatëve anglezë të asaj kohe vlerësohej se, ishte më mirë ngritja e një “Shqipërie të Madhe”, në katër vilajetet Osmane në Perëndim të Ballkanit, e kështu krijohej një bastion i fuqishëm kundër depërtimit sllav e greko ortodoks.

Për anglezët lënia e territoreve shqiptare nën Perandorinë Osmane, ashtu të shpërndara, të paorganizuara, në një gjendje anarkie dhe të pazhvilluara, u krijonte kushte për të përfituar fuqive rajonale kryesisht, sllave, greke e ruse, të cilat kishin interesa t’a mbanin në një gjendje të tillë këtë territor.

Duke arsyetuar kështu, diplomatët anglezë paralajmëronin se sllavo-ortodoksët në Ballkan, kishin mundësi që, në një moment të caktuar historik, të zgjeroheshin në kurriz të vendeve të tjera, duke formuar kështu shtete të mëdha në shërbim të politikës ruse.

Formula politike për “Shqipërinë e Madhe”, paraqiste vlerësime interesante për rolin e shqiptarëve në rajon, dhe sugjeronte për mënyrën se si ata mund të qeveriseshin në të ardhmen. Sipas kësaj formule një “Shqipëri e Madhe” dhe e fuqishme do të mbyllte rrugën për në veri, dhe do të mbante Ballkanin në duart e në autoritetin e atyre që janë në atë vend.

Mossuksesi i kësaj formule, erdhi për arsye se, Anglia nuk mund të thoshte e vetme fjalën e saj, madje qarqet më të larta politike të Londrës nuk ishin dhe aq të bindur për leverdisshmërinë e krijimit në ato momente historike të një shteti të pavarur, ose autonom shqiptar në territoret Evropiane të Perandorisë Osmane. Përveç kësaj interesat e Fuqive të tjera të Mëdha, ishin aq kontradiktore mes tyre, saqë të frenonin realizimin e këtij projekti.

Kohë pas kohe në vazhdimësi, e dendur kohëve të fundit është folur dhe flitet për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”. Duhet pranuar se, ndryshe nga Greqia, Bullgaria, apo Serbia e Madhe, termi “Shqipëri e Madhe”, është artikuluar (me të drejtë) nga anglezët dhe jo nga vetë shqiptarët. Shqiptarët nga ana e tyre, nuk kanë kërkuar një “Shqipëri të Madhe”, në kuptimin si ky term përdoret nga fqinjët tanë. Edhe pse synimi i diplomacisë angleze, ka qenë i drejtë për t’i bashkuar trojet shqiptare, vetë shqiptarët kanë preferuar dhe e ëndërrojnë “Shqipërinë Etnike”.

Ndryshe nga fqinjët, shqiptarët nuk kanë shkruar asnjë program të ngjashëm me “Nacertanie”, “Megali Idea”, apo ndonjë traktat ku shprehen synimet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, ndërkohë që fqinjët programet e përmendura më lart i kanë të zbërthyera me strategji të përcaktuara mirë për arritjen e synimeve të tyre.

Shqiptarët nga ana e tyre kurrë nuk e kanë pëlqyer bashkimin duke, përfituar në kurriz të të tjerëve. Ndryshe kanë vepruar fqinjët të cilët kanë pushtuar territoret shqiptare.

Në kushtet e reja shqiptarët promovojnë identitetin evropianizues dhe të zhvillimit të natyrshëm në përputhje me pozicionet e tyre gjeostrategjike, e këtë zhvillim nuk e shohin në kurriz e dëm të fqinjëve, përkundrazi në bashkëpunim dhe në harmoni me gjithë zhvillimet në rajon.

Interpretimi i gabuar i termit “Shqipëri e Madhe”, bëhet qëllimisht nga fqinjët sllavë e ortodoks. Kryesisht Beogradi pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka vijuar në mënyrë permanente, t’a quajë si precedent i cili krijon kushte për “Shqipërinë e Madhe”, ekzistencën e dy shteteve shqiptare në Ballkan.

Pretendimi se Pavarësia e Kosovës, mund të çojë në krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, nuk është i vërtetë. Në realitet prespektivën e zhvillimit të tyre, shqiptarët si në Shqipëri dhe në Kosovë e shohin në rrugën drejt Brukselit, në integrimin Evropian.

Nga ana tjetër, Shqipëria është e vendosur që të respektojë plotësisht kufijtë ndërkombëtarë të fqinjëve të vet, duke përfshirë dhe kufijtë e Kosovës. Shqetësimi për dy shtete të pavarura shqiptare në Ballkan është një koncept ksenofobik. Dy shtetet shqiptare, njëri në NATO, e të dy bashkë me identitet të qartë evropian, përfundimisht janë dy shtete demokratike, që promovojnë vlera interesante për zhvillimet në rajon.