Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski njoftoi se administrata e Qytetit ka marrë vendimin që transporti publik të jetë falas në të gjithë autobusët e Ndërmarrjes Publike Transportuese (NPT) si dhe te ata të transportit privat në tërë territorin e Shkupit, masë kjo që do të jetë e vlefshme deri në momentin e uljes së ndotjes së ajrit.

Në një njoftim nga Qyteti i Shkupit, theksohet se Trajanovski tha se masat e miratuara janë në pajtim me Ligjin për cilësinë e ajrit dhe kanë për qëllim të ulin ndotjen e ajrit, me çka është ballafaquar kryeqendra në ditët e fundit.

Qyteti i Shkupit, tha Trajanovski, bashkë me komunat do ta intensifikojë kontrollin e lokacioneve ku kryhen punë ndërtimore, transmeton AA. Sipas tij, në pajtim me ligjet ekzistuese nuk mund të vendoset masa çift/tek për vozitje, porse apeloi ministritë që të ndryshohet Ligji, me çka do të mundësohet vendosja e kësaj mase në Qytetin e Shkupit.

Kreu i Qytetit të Shkupit, u ka dërguar apel të punësuarve në administratën e qytetit që të përdorin transportin urban gjatë shkuarjes në punë.

Ai tha se inspektorët komunalë të Qytetit në periudhën e shkuar kanë kryer 1.000 kontrolle ku kanë shqiptuar 12 gjoba për kompanitë të cilat nuk kanë respektuar rendin komunal të Shkupit.

“U bëj thirrje Ministrisë së Mjedisit, Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, dhe komunave të kryejnë kontrolle më të shpeshta mbi instalimet që janë nën juridiksionin e tyre. Për më tepër, dua të theksoj se inspektimi i Qytetit të Shkupit do të vazhdojë më i zgjeruar edhe me ndërrime të natës për të kontrolluar instalimet që janë në juridiksionin tonë”, tha Trajanovski.