Nga Kullat e Kremlinit vjen shqetësimi i stisur. Një shkollë e vjetër pansllave që kurrë s’u lodh të punojë kundër shqiptarëve. Vërejtja e Moskës ka po atë amzë të njohur dhe po atë floskulë të fshehtë diplomatike: perëndimi dhe shqiptarët destabilizojnë Maqedoninë.

Po kush e thotë këtë?

Rusia që (pa vajtur larg në të kaluarën e errtë) përzihet e ndërhyn me spiunim kibernetik, para dhe ushtri kudo që i diktojnë interesat e saj për resurse, tregje e shtigje gjeopolitike në botë?

– Ajo anekson Krimenë e Detit të zi me vjegën që rusët e përsekutuar vendorë e nëvojisin këtë.

– I vë poashtu Ukrajinës, me vrasje e gjak, jashtë kontrollit gati gjysmën e territorit sovran tash sa vjet.

– Gjunjëzon për vdekje deri në kufijtë e zhbërjes, një komb e qytetní të tërë: Sirinë dhe atllasin kulturor të Shamit.

– I ofronte ndihmë danaike Greqisë në orën e vështirë të krizës, që ajo të refuzonte Brukselin dhe, këso udhe, ti jepte një të çarë Ngrehës europiane.

– Publikon, e mbase, falsifikon dokumenta të besueshëm të rivales Klinton, duke ndikuar zgjedhjet dhe, më pas, përplasjet civile në Amerikë.

– Ka hedhur në qarkullim misionarët subverzivë në Baltik që, dhe atje, popujt të thërrasin për mëshirë hemetat ruse.

– I jep kredi prej 50 milionë eurosh Marine Le Pen, shefe e Frontit nacional, që Franca të ndjekë britët dhe të shuhet Europa komunitare.

– Gatitet (me ç’thonë) të turbullojë ujërat elektoralë dhe në Berlinin e Zonjës së rëndë Merkel.

– Mban peng e të çorientuar Serbinë, duke i dhënë krah shpirtit testamental të krimit në filozofinë shtetërore të saj.

– Instrukton e mbështetë një grusht shteti në Mal të zi, ku, sipas skenarit komplotues, duhej të mbetej i vrarë premieri i tij.

– I ndërsen serbët boshnjakë për ta defunksionalizuar Bosnjën me projektin e Reich – ut të madh serbian (“nga varret në perëndim e deri tek tempujt në jug”).

– Bën shpesh një ekuacion simetrik mes Kosovës e Krimesë, anipse kanë territore, histori, popull, gjenealogji e përmasë krejtësisht ë ndryshme.

– Shpall se vetëvendosja e popujve është themel i lirisë, por, ndërsa kërkon t’i njihet pushtimi i gadishullit heterogjen – refuzon të njohë Kosovën, vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shqiptar.

Ja ky është indi i politikës ruse që rikthen teatrin e vjetër në motin e ri. Por, njëkohësisht, ky është dhe kodi i sjelljes reale në marrëdhëniet ndërkombëtare: një lokomotivë që nuk e lëvizin as drejtësia e parimet dhe as dhimbja e lotët. Janë vetëm interesat e fuqia që përcaktojnë frymën dhe rendin tij.

Dhe të botës, mjerisht!

Shkruan Rexhep KASUMAJ- Berlin, mars 2017