Përkrahësit e kryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq, e kanë rrahur shoferin e kryetarit të “Srpska” Aleksandar Jabllanoviq, shkruan radiokontaktplus.org

Siç thuhet, Sllavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, me afërsisht 150 simpatizant të kësaj liste kanë shkuar para zyrave të Aleksandar Jabllanoviqit ku edhe e kanë sulmuar shoferin e tij, transmeton Klan Kosova.

Sulmi i përkrahësve të Simiqit vjen pas kërcënimit që Jabllanoviq ua bëri atyre.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë mbrëmë se Aleksandar Jabllanoviq, kryetari i subjektit politik “Srpska”, u arrestua pasi kërcënoi me armë aktivistët e partisë së Simiqit.

“Jabllanoviq vuri armën e tij në njërin prej aktivistëve tanë dhe filloi të bërtas: Kjo është Kosovë, dhe jo Serbi – hiqni posterat nëse nuk dëshironi që unë të ju vras juve”, ka thënë Simiq për Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Jabllanoviq është arrestuar mbrëmë së bashku me gruan e tij për shkak të këtij incidenti, ndërsa është liruar sot pas intervistimit që i është bërë atij.